Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 16:57

“Bankers Petroleum”/ Nga dominimi në treg, te akuzat penale-Miliarda lekë fitime, por për 20 vite shmangu tatimet ndaj shtetit

Nga Scan TV

“Bankers Petroleum”/ Nga dominimi në treg, te akuzat

Nga viti 2006 deri në fund të vitit 2023, kompania që shfrytëzon vendburimin e naftës në Patos-Marinzë ka realizuar rreth 390 miliardë lekë ose rreth 4 miliardë euro të ardhura neto nga shitja e naftës sipas të dhënave nga “Open Corporates”. Për të njëjtën periudhë, fitimi i deklaruar është rreth 800 milionë euro. Megjithatë, përkundër këtyre fitimeve, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite.

Vetëm dy vitet e fundit kompania ka regjistruar mbi 110 milionë euro fitime.

Referuar shifrave, vitet që kompania ka rezultuar me humbje janë 2015-të, 2016-të, i cili ka edhe rënien më të madhe dhe viti 2020. Ndërkohë, sa i përket xhiros, viti 2014-të regjistron vlerën më të lartë.

“Bankers Petroleum”/ Nga dominimi në treg, te akuzat

Sipas marrëveshjes së lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë koncesionare, pagesa e tatimit mbi fitimin lidhet me një formulë që merr parasysh investimet dhe kostot e pretenduara të shfrytëzimit. Deri më sot, kjo formulë ka rezultuar që kompania të mos i konsiderojë ende të rikuperuara plotësisht kostot e saj, pavarësisht fitimeve të larta ndër vite. Kjo ka bërë që kontributi i saj fiskal të kufizohet vetëm në pagesën e rentës minerare, që është një përqindje fikse mbi prodhimin bruto.

Prokuroria e Fierit akuzon se për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Për të përcaktuar sa borxh mund t’i ketë shtetit shqiptar kompania Bankers Petroleum, duhet të marrim parasysh këto komponentë kyç. Sipas marrëveshjes, sapo të mbuloheshin kostot e investimit, kompania duhej të paguante 50% tatim mbi fitimin neto. Edhe pse zyrtarisht deklarohet se ende nuk janë rikuperuar kostot, të dhënat financiare tregojnë të kundërtën.

Kompania ka paguar vetëm rentën minerare, që është rreth 10% e prodhimit bruto, por kjo është një taksë ndryshe, që nuk zëvendëson tatimin mbi fitimin. Kështu që kjo pagesë nuk e zhbën borxhin për tatimin që duhet të ishte paguar.

Kompania pretendon se ende nuk i ka rikuperuar kostot e investimit, ndonëse ka arkëtuar mbi 4 miliardë euro të ardhura nga shitja e naftës sipas të dhënave.

Kontrata e shfrytëzimit ka një afat 25-vjeçar dhe është drejt përfundimit. Megjithatë, me shifrat aktuale të raportuara, ekziston mundësia reale që e gjithë periudha të përmbyllet pa pagesë tatimi mbi fitimin.

Ky është një nga rastet më të gjata të shfrytëzimit të një burimi natyror të rëndësishëm nga një subjekt privat në Shqipëri, pa kontribuar në mënyrë direkte me tatim fitimi në financat publike.

“Bankers Petroleum”/ Nga dominimi në treg, te akuzat

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat