Shqipëria Postuar më 19 Shtator 2025, 13:12

Bankat “mbushin” rezervën për raste krizash Arrin objektivin 20.2% të BSH. Sa e përballueshme është kostoja e përmbushjes së MREL?

Nga Ledina Elezi

Bankat “mbushin” rezervën për raste krizash Arrin

Pesë nga 11 banka në vendin tonë e kanë përmbushur objektivin prej 20.2% të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e një sasie të caktuar kapitali dhe instrumentesh financiare, si për shembull obligacione, sasi e cila përdoret si rezervë për kompensimin e humbjeve të bankave, në rast se këto të fundit përballen me kriza financiare ose rrezikojnë falimentimin.

Në raportin mbi ecurinë e kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara, MREL, theksohet që bankat e kanë tejkaluar këtë objektiv në gjysmën e parë të vitit, duke arritur një mesatare prej 22.6% në rezerva. Kjo nënkupton se ato kanë lënë mënjanë mjaftueshëm para dhe instrumente financiare për të përballuar kriza të mundshme.

Në Shqipëri, 5 banka konsiderohen si kritike për stabilitetin financiar, pasi kontrollojnë rreth 75% të totalit të aktiveve bankare. Si rezultat, vetëm këtyre bankave u kërkohet që të përmbushin këtë objektiv, për shkak se një problem financiar i tyre mund të shkaktojë kolapsin e të gjithë sistemit.

Në vitin 2027 synohet që bankat të kenë një rezervë të barabartë me 24.9% të ekspozimeve të tyre të ponderuara me rrezikun, të cilat i referohen rrezikshmërisë së aktiviteteve të një banke. Sa më i lartë të jetë rreziku, aq më shumë rezerva duhet të mbajë banka si amortizues. Ky është objektivi përfundimtar që bankat duhet të arrijnë për të përmbushur kërkesën MREL deri në vitin 2027, duke siguruar që ato të kenë mjaftueshëm amortizues financiarë për të menaxhuar krizat në mënyrë efektive.

A ka ndikuar rritja e normave të interesit në koston e financimit të kësaj rezerve nga bankat?

Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, kostoja e përmbushjes së MREL paraqitet e përballueshme për bankat, duke arritur në 5.1% të të ardhurave neto nga interesi në vitin 2027. Për të gjitha bankat, vlerësohet që kostoja e financimit të detyrimeve ekzistuese të pranuara mund të përthithet plotësisht në rezultatin neto financiar të bankave, pa ndikuar ndjeshëm në përfitueshmërinë e tyre.

Në tërësi, vlerësohet se kostoja për shërbimin e borxhit për qëllime të MREL do të vijojë të shënojë rritje për të gjitha bankat, por mbetet e kufizuar në terma relativë të treguesve të përfitueshmërisë. Zhvillimet e sektorit bankar gjatë periudhës, veçanërisht forcimi në vijimësi i pozicionit të kapitalit përmes fitimit që bankat kanë realizuar gjatë vitit të mëparshëm, ul nevojën shtesë për financim të MREL dhe përbën faktorin kryesor zbutës të kostos së financimit. Në çdo rast, sektori bankar vijon të raportojë vlera të kënaqshme të rezultatit neto nga interesi dhe të treguesve të përfitueshmërisë, edhe në skenarët më të rënduar, shprehet Banka e Shqipërisë në analizën e saj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat