Shqipëria Postuar më 15 Janar 2025, 16:10

Banka turke Ziraat kërkon të futet në tregun shqiptar - Rrapaj: Do të rrisë financimet në sektorin e bujqësisë

Nga Ledina Elezi

Banka turke Ziraat kërkon të futet në tregun shqiptar - Rrapaj:

Një bankë e re ka kërkuar që të bëhet pjesë e sektorit bankar të vendit tonë. Sipas Bankës së Shqipërisë, banka bujqësore turke Ziraat ka dërguar kërkesë për të ngritur një degë të sajën në Shqipëri, ndërkohë që Banka Sllovene Nova Lubjanka (NLB) dhe Grupi IUTE nga Estonia, kanë shprehur interes edhe vitet e kaluara për të blerë banka të tjera ekzistuese.

Në një intervistë për Televizionin Scan, Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj u shpreh se një bankë bujqësore, si ajo Ziraat, është e domosdoshme për të rritur financimin e bizneseve në fushën e bujqësisë.

“Sektori vazhdon të mos performojë sipas kapaciteteve që ka, vazhdon tremujorët e fundit të jetë me minus, sektori i bujqësisë, dhe potencialet janë ato që unë përmenda, janë potenciale shumë të mëdhaja që janë gati për financim. Është pothuajse një treg i gatshëm që ka për synim këto sektorë, siç është edhe Ziraat.”

Rrapaj sugjeron që të krijohet një bankë shtetërore investimesh ose bankat ekzistuese në Shqipëri të kenë degë të specializuara për huadhënien ndaj sektorit bujqësor.

“Bankat ekzistuese është domosdoshmëri që të hapin degë, të specializojnë degë të posaçme për ekonominë e ushqimit. Shumë e rëndësishme nga ana tjetër është që shteti duhet të mendojë tashmë për një bankë investimesh të sektorit të bujqësisë dhe të sektorit të ushqimit në tërësi, ku të gjitha fondet që vijnë, fonde grant, fonde shtetërore, të specializuara dhe të destinuara për bujqësinë, t'i menaxhojë kjo bankë shtetërore.”

Në Shqipëri operojnë gjithsej 11 banka tregtare, pjesa më e madhe e të cilave janë me kapital të huaj.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat