Shqipëria Postuar më 24 Janar 2025, 20:01

Banka Shqiptare e Zhvillimit, projekti në konsultim publik: Mbështetje me kredi për sektorët e nënfinancuar

Nga Ledina Elezi

Banka Shqiptare e Zhvillimit, projekti në konsultim publik: Mbështetje

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të krijohet për të mbështetur ndërmarrjet shqiptare që nuk kanë qasje të mjaftueshme në financim nga tregu tradicional dhe të cilat shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e kredive ose investimeve për zgjerim dhe inovacion. Sapo është publikuar për konsultim publik projektligji mbi ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e cila do të ofrojë mbështetje për sektorët e nënfinancuar dhe do të ketë rol plotësues ndaj financimeve të ofruara nga institucionet tregtare.

Por çfarë funksionesh do të ketë konkretisht ajo?

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të japë kredi, ofrojë garanci dhe do të investojë në letra me vlerë të borxhit dhe kapitalit, duke ndihmuar në realizimin e projekteve me rëndësi të veçantë për ekonominë. Përmes skemave financiare, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të nxisë dhe mbështesë projekte në nivel qendror dhe vendor, duke u fokusuar në sektorët strategjikë.

Kjo Bankë do të ofrojë financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mikrondërmarrjet, si dhe start up-et, me qëllim që ato të rrisin produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe të jenë më të pranishme në tregjet ndërkombëtare. Banka Shqiptare e Zhvillimit synon të mbështesë eksportet shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit. Gjithashtu, një nga objektivat e kësaj Banke do të jetë përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të shërbejë edhe si ndërmjetëse financiare e Bankës Evropiane të Investimeve dhe institucioneve të tjera të tilla ndërkombëtare, për sa i përket kanalizimit të kredive dhe fondeve që ato japin për realizimin e projekteve publike në nivel qendror dhe vendor. Banka do të ketë një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh, ndërsa do të bashkëpunojë edhe me Postën Shqiptare për pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku.

Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Italisë, Cassa Depositi e Prestiti (CDP), e cila pritet të japë mbështetje teknike për fazat e mëtejshme të ngritjes deri në vënien në operim të Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Përvojat ndërkombëtare kanë treguar se krijimi i institucioneve kombëtare të zhvillimit si BZH, rrisin suksesin në nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat