Shqipëria Postuar më 7 Nëntor 2025, 19:54

Balluku takohet në Athinë me Sekretarët amerikanë të Energjisë dhe Punëve të Brendshme

Nga SCAN TV

Balluku takohet në Athinë me Sekretarët amerikanë të

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është takuar në Athinë me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe Sekretarin amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum. Takimet u mbajtën në kuadër të punimeve të Samitit të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), një nismë strategjike që synon forcimin e bashkëpunimit energjetik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.

Samiti u organizua nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, në bashkëpunim me Qeverinë Greke dhe Qendrën Globale të Energjisë pranë Këshillit Atlantik, duke mbledhur në Athinë ministra të energjisë, ekspertë dhe përfaqësues të lartë politikë nga rajoni.

Në një video-mesazh nga Athina, Zv.Kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në fushën e energjisë, duke vlerësuar mesazhin e Sekretarit Wright si një vizion frymëzues për të ardhmen energjetike të Europës.

“Sekretari i Energjisë, Chris Wright, adresoi fjalën e tij me një vizion frymëzues, i cili kishte në qendër sigurinë energjetike, bashkëpunimin transatlantik, por mbi të gjitha bashkërendimin e shteteve për të minimizuar impaktin e gazit rus në Europë,”  u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se prania e Sekretarit Amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum, në këtë samit tregon qartë rolin thelbësor që energjia luan jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në sigurinë globale.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum të nivelit të lartë nënvizon angazhimin e vendit për t’u bërë pjesë aktive e dialogut ndërkombëtar mbi tranzicionin energjetik, diversifikimin e burimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë energjetike në rajon.

Samiti P-TEC shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe politikave që synojnë reduktimin e varësisë nga burimet e paqëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e investimeve në teknologjitë e pastra, në përputhje me objektivat e transformimit të gjelbër global.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat