Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 15:43

Balluku i kalon stafetën Ministrit të ri të Infrastrukturës: “Mënyra e tij e të çuarit përpara e të gjithë politikave, sukses i garantuar”

Nga Ledina Elezi

Balluku i kalon stafetën Ministrit të ri të Infrastrukturës:

Pas betimit në Presidencë, Ministri i Ri i Infrastruktururës dhe Energjisë, Enea Karakaçi është prezantuar nga paraardhësja e tij, Belinda Balluku. Gjatë kalimit të detyrës, ajo u shpreh se kapacitetet profesionale të drejtuesit të ri dhe eksperienca disavjeçare në këtë Ministri, do të bëjnë të mundur që të çojnë pëpara shumë projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

“Enea është rritur në këtë ministri, ka kaluar në nivele të ndryshme, duke u kthyer kështu në një provë të gjallë të zhvillimit të aseteve të administratës publike. Unë them se Enea duhet të jetë një frymëzim për secilin nga ju të ulur, pasi tek Enea, çdo burrë dhe grua i ulur në këto karrige duhet të shikojë progresin e vetes së tij, duhet të shikojë se si mund ti jepet mundësi për të pasur atë që mund të ngrejë Enea në ditët në vazhdim. Mënyra e tij e të cuarit para e të gjithë politikave që ne kemi zhvilluar brenda OSHEE, kapaciteti i tij profesional dhe njohja e thellë e sistemit energjetik dhe administratës shqiptare ishte një sukses i garantuar. Tashmë Enea do të mbajë një peshë akoma më të rëndë, por jam e bindur që zgjedhja që ka bërë Edi Rama është zgjedhja më e mirë”, tha Balluku.

Sipas Karakaçit, nëpërmjet bashkëpunimit midis stafit, institucioneve të varësisë dhe qytetarëve, do të çohen përpara sfidat dhe të realizohet ajo që kërkojnë qytetarët.

“Unë në këtë ministri kam hyrë për herë të parë si specialist në vitin 2011, kam bërë rrugëtimin tim siç edhe ju e thatë nga specialist në shef sektori, drejtor i përgjithshëm dhe së fundmi edhe administrator i Korporatës më të madhe energjetike të vendit. Pikërisht për shkak  të këtij rrugëtimi, unë jam shumë i qartë për sa i përket vizionit, qasjes, objektivave dhe çfarë kërkohet nga kryeministri, por edhe nga qytetarët për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat