Shqipëria Postuar më 18 Tetor 2025, 12:39

Ballkani Perëndimor drejt një tregu pune të sigurt e pa informalitet/ Bashkëpunim rajonal për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë

Nga Diamila Leka

Ballkani Perëndimor drejt një tregu pune të sigurt e pa

Me finalizimin e projektit “Përmirësimi i Menaxhimit të Migracionit të Sigurt dhe të Rregullt në Rajon”, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka hedhur një hap konkret drejt ndërtimit të një tregu pune më të drejtë, më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për punëtorët migrantë. Ky projekt u zbatua nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në bashkëpunim me ASDO (Shoqata për Zhvillim Social), me mbështetjen e GIZ (Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), në kuadër të Qendrës Globale për Migrim dhe Zhvillim (ZME). Gjatë zbatimit të projektit, u vunë në pah sfidat dhe nevojat kryesore të tregut rajonal të punës, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe luftën ndaj informalitetit.

Në takimin përmbyllës të mbajtur në Tiranë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave partnere nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndanë rezultatet më të rëndësishme të projektit. Nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet inspektorateve të punës të tre vendeve, vendos themelet për bashkëpunim të rregullt ndërinstitucional dhe shkëmbim të informacionit për çështje që lidhen me migracionin e punës dhe inspektimet ndërkufitare. Krijimi i pikave fokale kombëtare dhe hartimi i një plani të përbashkët veprimi, do të udhëheqë koordinimin e aktiviteteve për bashkëpunim rajonal në fushën e punës dhe migracionit.Publikimi i një raporti me rekomandime ligjore dhe politike, i cili identifikon boshllëqet aktuale në kuadrin ligjor dhe sugjeron hapa konkrete për përmirësimin e legjislacionit kombëtar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Diskutimet gjatë eventit, sollën në fokus rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të inspektorëve të punës për të përballuar sfidat që lidhen me migracionin rajonal dhe për të zbatuar në mënyrë efektive ligjin në rastet e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Një tjetër pikë thelbësore ishte nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit si tek punëdhënësit ashtu edhe tek vetë punonjësit migrantë mbi të drejtat që i u takojnë dhe mekanizmat e mbrojtjes që ofrojnë shtetet respektive.

Sipas organizatorëve, ky projekt përfaqëson një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërinstitucional dhe rajonal, duke krijuar baza konkrete për institucionalizimin e mekanizmave të përhershëm për menaxhimin e migracionit të punës. Zbatimi i rekomandimeve të dala nga projekti pritet të kontribuojë në uljen e informalitetit, përmirësimin e kushteve të punës dhe garantimin e dinjitetit për çdo punëtor migrant në rajon.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat