Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2025, 13:11

Autostrada Tiranë-Durrës, në rikonstruksion - Shpallet fituesi për tenderin e aksit Vorë-Ura e Dajlanit, oferta 50.8 mln lekë

Nga Ola Mitre

Autostrada Tiranë-Durrës, në rikonstruksion - Shpallet fituesi
Autostrada Tiranë – Durrës do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese për ndërhyrje emergjence për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në segmentin nga Vora në urën e Dajlanit. Oferta e shpallur fituese ka një vlerë prej 50.8 mln lekë, teksa kompania që do të zbatojë punimet është Bami Holding. 

Paralelisht me këtë segement, aktualisht është duke u punuar për zgjerimin e autostradës në 5 km e parë, që nisin pak pasi kalon kthesën e Kamzës, deri në mbikalimin e Rinasit. Sipas projektit, autostrada do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se synimi është që ato të përfundojnë në dhjetor të këtij viti.

Ndërkaq, zgjerimi do vijojë edhe pas mbikalimit të Rinasit, që konsiderohet si faza e tretë e zgjerimit të autostradës. Për këtë segment, Autoriteti Rrugor Shqiptar është duke zhvilluar procedurën tenderuese. Aktualisht, janë duke u pranuar ofertat, teksa kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 3 shtator për dorëzimin e dokumentaconit. Fondi limit në dispozicion për këtë segment është 2.5 mld lekë.

Ndërhyrja në autostradën Tiranë - Durrës synohet të sjellë një përmirësim në drejtim të trafikut, që aktualisht paraqet probleme të shumta. Kjo jo vetëm për qytetarët, por edhe për binzeset që operojnë përgjatë saj. 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat