Shqipëria Postuar më 4 Mars 2026, 14:56

Autoriteti i Konkurrencës fillon monitorimin e tregut me pakicë të karburanteve

Nga Edel Strazimiri

Autoriteti i Konkurrencës fillon monitorimin e tregut me pakicë

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Sipas njoftimit të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim dhe në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti, do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.

“Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg,” njofton AK.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi, Autoriteti synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo nga sjellje që cenojnë konkurrencën.

Autoriteti sqaron se, në përputhje me misionin dhe kompetencat e përcaktuara për Autoritetin e Konkurrencës, të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me atributet që i përkasin institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat