Shqipëria Postuar më 7 Mars 2025, 13:33

Arsimi shqiptar përballë sfidave, Kaptelli: Rritje pagash! - Rama: Paga mesatare e mësuesve do jetë përtej 1 mijë eurove

Nga Alida Lula

Arsimi shqiptar përballë sfidave, Kaptelli: Rritje pagash! - Rama:

Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm për sa i përket agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian. Si pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit, arsimi është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim dhe disa politikave të tjera të rëndësishme kombëtare që lidhen me zhvillimet në fushën e arsimit, si dhe bazuar në nevojën për planifikim cilësor.

Arsimi në Shqipëri ka evoluar përmes reformave, kurrikulave të reja, stafet arsimore etj. Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar Nevrus Kaptelli, ka thënë për SCAN tv, se edhe pse pagat e arsimtarëve janë rritur, duhet të vijojnë ende të përafrohen me ato të vendeve të BE-së.

“Situata në arsim nuk është në atë nivel që duhej të ishte dhe të vlerësohej. Prej muajit korrik të vitit të kaluar, pagat janë rritur, por ato janë më të ulëta në Europë, kjo sipas shifrave të EUROSTAT. Paga e mësuesve në Shqipëri ndryshon sipas përvojës së punës dhe pozicionit. Paga mesatare është më shumë se 70 mijë lekë, ka edhe mësues që marrin 90 mijë lekë, por dhe më tepër. Megjithatë është e pamjaftueshme për punën e palodhshme që bëjnë, sidomos në këtë kohë ku profesioni i mësuesit është bërë shumë i vështirë” – thotë Kaptelli.

Nga viti në vit, ritmet e rënies së nxënësve në arsim po rriten si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigrimit të lartë në popullsinë e re në moshë. Në vitin shkollor 2024-2025, u regjistruan në arsimin zyrtar mbi 350 mijë nxënës. Ndërsa vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë mbi 100 mijë student. Por ajo që presidenti i SPASH evidenton, është se mësuesia është dega më pak e kërkuar mga maturantët, e për këtë duhet të vijojnë të stimolohen këto degë dhe të mbështeten financiarisht.

“Është profesioni më pak i kërkuar nga maturantët. Shumë universitete në rrethe i mbyllën degët e mësuesisë se nuk kishte studentë, kjo duhet të ndryshojë. Duhet t’i bëjmë profesione të kërkuara. Rritja e pagave vitin e kaluar ishte më e madhja që është bërë për arsimin dhe kjo duhet vlerësuar, prandaj të vijojnë politikat nxitëse” – shton Kaptelli.

Ndërkohë, Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, thanë se ambicia e qeverisë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove.

“Ta ngrejë dorën kush ka menduar se në vitin 2024 paga mesatare do të ishte 950 euro. Fakt shumë domethënës i fuqizimit të vendit tonë ekonomikisht por edhe i vullnetit për të fuqizuar mësuesit dhe buxhetet e tyre familjare. Patjetër që është një pagë shumë dinjitoze, por nuk diskutohet që nuk është absolutisht fundi, por është një stacion në një rrugë ku ne përsëri do të rikthehemi tek pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që i shërbejnë kësaj Republike. Ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove” – tha Rama.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat