Shqipëria Postuar më 30 Maj 2026, 09:53

ARRSH, projekt të ri për hyrjen veriore të Tiranës/ Kozeli: Lidhje e re edhe me rrugën e Arbrit. Zgjerimi i Tiranë – Durrës, deri në Vorë

Nga Ola Mitre

ARRSH, projekt të ri për hyrjen veriore të Tiranës/ Kozeli:

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të nisë projektimin për hyrjen veriore të Tiranës, një projekt që synon të lehtësojë trafikun në kryeqytet. I ftuar në emisionin Inside News, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli bëri me dije gjithashtu se po shqyrtohet edhe një tjetër projekt që do të lidhë qytetin me rrugën e Arbrit.

​“Do të nisim projektimin e hyrjes veriore të Tiranës, që do të thotë shkarkimin e trafikut drejt veriut. Pra, do të jetë projektimi dhe zbatimi që e kemi parashikuar në buxhetin tonë afatmesëm dhe kjo është një gjë që do të jetë po prapë një zgjidhje shtesë për trafikun e qytetit. Gjithashtu, kemi një projekt të ardhur nga Bashkia e Tiranës që bën lidhjen me rrugën “Arbërit”, edhe për të cilën ne tani po e shqyrtojmë brenda autoritetit tonë dhe jemi në komunikim natyrisht edhe me Bashkinë e Tiranës për të nisur zbatimin e kësaj kontrate, që po prapë do të lehtësojë goxha trafikun në qytet”, - tha Kozeli.

Paralelisht, kreu i ARRSH tha se prioritet është edhe zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës, deri në Vorë.

Ne duam t’i afrojmë kontratat sepse i kemi të parashikuara në buxhetin afatmesëm, por i kemi për vitin e ardhshëm. Ndërkohë që me miratimin e Akteve Normative, ministria dëshiron që këto t’i afrojë në zbatim, pra t’i afrojë që brenda këtij viti, që t’i lidhim që gjatë këtij viti, në mënyrë që në 2027-ta t’i gjejë në zbatim si kontrata. Dhe bëhet fjalë për fazën katër dhe pesë, ku punimet do të avancojnë deri në Vorë, pra në daljen e Fushë – Krujës”, - tha kreu i ARRSH. 

Kozeli foli edhe për ecurinë e disa prej projekteve kryesore në vend, sikurse është korridori VIII, duke theksuar ndër të tjera se është gjetur zgjidhja përfundimtare për të mos ndarë fshatin e Hotolishtit në 2 pjesë. Sipas tij në këtë pjesë të rrugës Elbasan – Qafë Thanë do të ndërtohet një tunel, ndërsa paralelisht po punohet për projektimin e pjesës tjetër të rrugës, që do të bëjë lidhjen me Maqedoninë e Veriut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat