Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2025, 10:51

Arkiv qendror për dokumentacionin ushtarak - Vendimi i Qeverisë, do të ofrojë dokumente deri 115-vjeçarë

Nga Ernilda Luzi

Arkiv qendror për dokumentacionin ushtarak - Vendimi i Qeverisë, do

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Arkivit Qendror në veprim për dokumentacionin teknik të tipologjisë së veçantë të armatimit, pajisjeve teknologjike ushtarake të forcave të armatosura, me seli në Tiranë.

Arkivi Qendror në veprim për dokumentacionin teknik të tipologjisë së veçantë të armatimit, pajisjeve teknologjike ushtarake të Forcave të Armatosura financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.

Buxheti i arkivit përbën zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Po kështu, arkivi qendror organizohet në nivel qendror dhe e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, brenda fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ka stemën, vulën e vet zyrtare e logon.Vula ka formën dhe elementet e përcaktuara, e cila prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Arkivi Qendror ka për mision ruajtjen, përpunimin, administrimin, digjitalizimin dhe shërbimin e dokumentacionit teknik të municioneve, të prodhimit të armëve dhe çdo dokument që i shërben kësaj industrie. Gjithashtu, ka për detyrë të tërheqë për ruajtje, administrim, digjitalizim, deklasifikim dhe shërbim të gjithë dokumentacionin e tipologjisë së veçantë të industrisë së prodhimit të armëve dhe të përpunimit të dokumentacionit tipologjik nga institucionet fondkrijuese.

Njëkohësisht, Arkivi Qendror ofron shërbim arkivor për qytetarët dhe subjektet e interesuara, për dokumentet e tipologjisë së veçantë të armatimit, pajisjeve teknologjike ushtarake të Forcave të Armatosura, që ka në ruajtje dhe administrim, nëpërmjet shërbimit të dokumenteve të tipologjisë së veçantë, të njësuara me origjinalin; shërbimi dhe shfrytëzimi i dokumenteve bëhet kundrejt pagesës.

Ndërkohë, Arkivi Qendror administron, digjitalizon dhe shërben dokumentacionin e tipologjisë së veçantë për një afat prej 115 vjetësh nga momenti i dorëzimit pranë këtij arkivi nga institucionet fondkrijuese. Institucionet fondkrijuese të Forcave të Armatosura, të cilat ruajnë, përpunojnë, administrojnë dokumentacionin e një tipologjie të veçantë dorëzojnë dokumentacionin pranë arkivit qendror, jo më vonë se 5 vjet nga data e mbylljes së operativitetit të dokumentit te fondkrijuesi.

Në Arkivin Qendror funksionon Komisioni i Ekspertizës, i përbërë nga jo më pak se 5 anëtarë, me kryetar drejtorin e arkivit. Komisioni i Ekspertizës harton listën konkrete të dokumenteve me rëndësi historike kombëtare dhe të dokumenteve me afat ruajtjeje të përkohshme, si dhe përcakton afatet e ruajtjes për këto të fundit jo më pak se 15 vjet dhe jo më shume se 25 vjet.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat