Shqipëria Postuar më 24 Janar 2026, 11:47

“Aplikoni për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar”/ Malaj e Gazheli: Lehtësi doganore dhe rritje e eficiencës

Nga Alida Lula

“Aplikoni për statusin e Operatorit Ekonomik të

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë pune në dy kompani shqiptare, të cilat kanë përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar. Ministri Malaj, u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive dhe me përfitimet që ka sjellë ky status për to. Një prej kompanive, ushtron aktivitetin e saj ekonomik prodhues dhe eksportues në sektorin e profileve të duraluminit dhe industrisë së automotivës, me rreth 530 të punësuar dhe operon në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga përpunimi deri te produktet e gatshme për tregun vendas dhe eksport. Rreth 60–65% e prodhimit të saj eksportohet në tregje si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vendet e rajonit. Më pas në kompaninë tjetër, e specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre, ministri i Financave vlerësoi lehtësitë që sjell statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të aplikojnë për të përfituar.

“I bëjmë thirrje të gjithë bizneseve në Shqipëri, të cilët kanë një aktivitet që i lidh me importin dhe eksportin në drejtorinë e Doganave, që të shohin mundësinë për të marrë certifikimin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, sepse ju jep procedura doganore më të thjeshtuara, më pak kontrolle nëpër doganë por, edhe në ato raste kur ka kontrolle, subjektet të cilët kanë këtë certifikim kanë një prioritet përsa i përket procesimit të procedurave doganore”- theksoi Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se statusi OEA bazohet në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet administratës doganore dhe bizneseve korrektë.

Gjatë vizitës, Malaj përfitoi nga rasti për të informuar se aktualisht Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e Kodit Doganor me legjislacionin e Bashkimit Europian, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti.

“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt përafrimit të të gjithë kuadrit të saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është aktualisht duke punuar për të përafruar dhe për të harmonizuar të gjithë Kodin Doganor me kërkesat e direktivave të BE dhe brenda këtij viti ne do ta përfundojmë të gjithë këtë proces. Kodi Doganor shqiptar do të jetë njësoj si Kodi Doganor që aplikohet në Bashkimin Europian. Prandaj, këto fasilitete të cilat ju tashmë i keni përfituar duhet t’i përfitojnë edhe operatorët e tjerë, në mënyrë që të jenë edhe ata më efikasë dhe më konkurrues në tregun ku do të aderojmë shumë shpejt”- tha ministri i Financave.

Përfitimet e statusit të OEA-ve jepen në varësi të llojit të autorizimit, si një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet; një akses i thjeshtuar apo ekskluziv në disa thjeshtime doganore; si dhe marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat