Shqipëria Postuar më 20 Shkurt 2025, 11:12

Ankand elektronik për targa të personalizuara - DPSHTRR hap tenderin për krijimin e platformës

Nga Ernilda Luzi

Ankand elektronik për targa të personalizuara - DPSHTRR hap tenderin

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka shpallur hapjen e tenderit për krijimin e një ndërfaqeje, platformë për ankandin elektronik të targave të personalizuara.

Ankandi elektronik ndryshe nga ankandet ku duhet të marrësh pjesë fizikisht është një lloj ankandi që mbahet në internet. Ankandi elektronik jep mundësinë dhe lirinë e ofertimit nga çdo vend të lidhur përmes internetit.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërfaqja dhe aplikacioni do të jenë një platformë e plotë dhe e besueshme për menaxhimin dhe zhvillimin e ankandeve të targave të personalizuara.

Platforma do të ofrojë mundësi për regjistrim, ofertim, pagesa online dhe do të ketë kontroll mbi procesin e ankandit nga specialistët dhe komisioni i ankandit i cili ka të bëjë me publikimin e targave të klasifikuara për shitje në ankand, njoftimin e ankandit, menaxhimin e ofertave, ndjekjen e problematikave, procesimin e pagesave dhe sinkronizimi i të dhënave në kohë reale.

Ndërfaqja e Web-it do të jetë e aksesueshme nga administratorët, komisioni i ankandit, specialistët dhe përdoruesit për të menaxhuar llogaritë dhe ofertimet në ankand.

Ndërkohë, targa e personalizuar është një targë që përmban maksimumi 7 karaktere (numra nga 1 deri në 9 dhe gërma të alfabetit anglez përfshirë gërmat Q dhe W). Sasia e karaktereve, kombinimi dhe formimi i targës së personalizuar përzgjidhen nga blerësi i saj, në respekt të kritereve të përcaktuara në Rregulloren e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Nga ana tjetër, të drejtë aplikimi për t’u pajisur me targë të personalizuar ka çdo individ, që ka në pronësi ose në përdorim një automjet për përdorim vetjak. Në rast se mjeti ka qenë i pajisur më parë me një targë të zakonshme, aplikanti duhet të dorëzojë paraprakisht këtë targë, për të marrë në dorëzim targën e re.

Pagesa e tarifës për pajisjen me targë të personalizuar i mundëson blerësit të drejta ekskluzive mbi targën, si dhe transferimin e saj nga një mjet në tjetrin. Gjithashtu, për të transferuar një targë të personalizuar është e detyrueshme që mjetet rrugore ndërmjet të cilave kryhet transferimi t’i përkasin së njëjtës kategori mjeti (nga autovetura në autoveturë). Gjithashtu, transferimi mund të realizohet vetëm nëse mjeti që do të pajiset me targën e personalizuar ka vjetërsi më të ulët se mjeti tjetër, apo vlerë tregu më të lartë ose mjeti është prodhuar 3 vitet e fundit.

Për t’u pajisur me një targë të personalizuar, çmimi fillestar është 100.000 lekë, por kjo vlerë ndryshon në varësi të mesazhit të përzgjedhur (numri i karaktereve, kombinimi, etj.). Targa e koleksionit Premium ka një çmim fillestar prej 250.000 lekë dhe vlera finale e targës përcaktohet nga ofertat e ndryshme në ankand. Ndërkohë, transferimi i targës së personalizuar në një mjet tjetër kushton 30.000 lekë për çdo rast.



 

Sondazh

Poll
Shqipëria 20 Shkurt Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Monedha europiane është blerë sot me 98.9 lekë dhe është shitur me 99.6 lekë duke fituar pikë nga dje teksa e ka nisur ditën në rritje sipas kursit të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat