Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 12:08

Analiza/ Si ndryshon qeveria Rama - Shifrat, 66.7% e ministrave me profil juridik dhe lidhje direkte me negiociatat

Nga SCAN TV

Analiza/ Si ndryshon qeveria Rama - Shifrat, 66.7% e ministrave me profil

Ndryshimet e fundit në qeveri përbëjnë një rikonfigurim të dukshëm të kabinetit. Nga 17 portofolë në strukturën e kabinetit, 6 kanë ndryshuar drejtues, ose 35.3% e qeverisë. Nga këto 6 lëvizje, 4 janë zëvendësime të plota, ndërsa 2 janë ripozicionime të brendshme.

Enea Karakaçi zëvendëson Belinda Ballukun në Infrastrukturë dhe Energji

Ferit Hoxha zëvendëson Elisa Spiropalin në Punët e Jashtme

Ermal Nufi zëvendëson Pirro Vengun në Mbrojtje

Erjona Ismaili zëvendëson Toni Gogun në Marrëdhëniet me Parlamentin

Ndërkohë, kemi dy lëvizje të brendshme:

Besfort Lamallari kalon nga Drejtësia në Ministrinë e Brendshme

Toni Gogu kalon nga Marrëdhëniet me Parlamentin në Drejtësi

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ndarja e funksionit të Zëvendëskryeministrit nga portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë. Më herët, ky funksion ishte i përqendruar në një figurë të vetme (Belinda Balluku). Tashmë kemi një model të ri ku Albana Koçiu merr funksionin e Zëvendëskryeministres ndërsa Enea Karakaçi merr Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë

Kjo do të thotë se koordinimi qeveritar kalon nga një profil energjetik-politik në një profil administrativ-reformues. Koçiu vjen nga drejtimi i Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013 – pra 12 vite në krye të reformës së shërbimit civil – ndërsa Karakaçi ka profil teknik në energji dhe rregullim sektorial.

Në 6 ministrat e ndryshuar:

4 nga 6 (66.7%) kanë formim juridik; Karakaçi, Lamallari, Nufi, Ismaili

1 profil diplomatik karriere 30+ vjeçare Ferit Hoxha

1 profil reformë administrative Albana Koçiu

Pra, dominon qartë profili ligjor në bllokun e ndryshimeve.

Dy nga gjashtë lëvizjet (33.3%) prekin drejtpërdrejt sektorin e sigurisë dhe drejtësisë. Këto dy ministri lidhen drejtpërdrejt me kapitujt 23 dhe 24 të integrimit europian, që konsiderohen ndër më të rëndësishmit në procesin e negociatave me BE-në.

Në Ministrinë e Jashtme kemi një ndryshim struktural të profilit ku kalohet nga Elisa Spiropali me profil politik/parlamentar te Ferit Hoxha – diplomat karriere që nga 1991

Hoxha ka qenë ambasador në BE, OKB, Francë, UNESCO dhe ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ. Kjo përfaqëson kalim nga profil politik në profil teknik-diplomatik me mbi 30 vite eksperiencë.

Para ndryshimeve kabineti qeveritar kishte 9 gra dhe 8 burra

Pas ndryshimeve kabineti përbëhet nga 7 gra dhe 10 burra

Megjithatë, poste kyçe si Zëvendëskryeministrja, Ekonomia , Arsimi dhe Shëndetësia  mbeten në drejtimin e grave.

Nga 6 ministrat e ndryshuar 3 prej tyre apo 50% kanë studime ose eksperiencë të gjatë jashtë vendit.

Por çfarë tregojnë këto shifra?

35% e kabinetit ndryshon ku 66.7% e lëvizjeve janë zëvendësime reale

66.7% e ministrave të prekur kanë formim juridic, ndërsa 50% kanë profil ndërkombëtar të theksuar.

Në thelb, kemi një riorganizim që forcon profilin ligjor dhe teknik të kabinetit, ndan funksionin e koordinimit politik nga menaxhimi sektorial në nivel Zëvendëskryeministrie dhe zhvendos diplomacinë drejt një modeli me karrierë profesionale.

Shqipëria 27 Shkurt Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë negativisht duke humbur sërish pikë këtë mëngjes në raport me ditën e djeshme teksa është blerë sot me 81.1 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat