Shqipëria Postuar më 14 Shkurt 2026, 12:52

AMA në konferencën globale të UNESCO-s/ Deklarata e Pretorias, angazhime të reja për transparencë

Nga SCAN TV

AMA në konferencën globale të UNESCO-s/ Deklarata e Pretorias,

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, mori pjesë në Konferencën Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026, të organizuar nga UNESCO në Pretoria, ku për tre ditë u diskutuan sfidat e rregullimit të platformave digjitale dhe mbrojtja e integritetit të informacionit në nivel global.

Konferenca mblodhi rregullatorë, përfaqësues institucionesh, organizata mediatike dhe akademikë nga disa kontinente, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe qasje shumëpalëshe në hartimin e politikave për mjedisin digjital, veçanërisht në një kohë kur dezinformimi dhe ndikimi i platformave në proceset demokratike po shtohen.

Në përfundim u miratua “Deklarata e Pretorias”, e cila përmban angazhime konkrete për rritjen e transparencës së platformave, raportime periodike mbi moderimin e përmbajtjes, mekanizma efektivë ankimi për përdoruesit dhe akses më të gjerë të studiuesve në të dhëna për kërkime në interes publik. Dokumenti vendos theks të veçantë edhe te mbrojtja e fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, promovimi i edukimit mediatik dhe zhvillimi i standardeve për vlerësimin e rreziqeve sistemike që lidhen me integritetin zgjedhor dhe lirinë e medias.

Pjesëmarrja e Kryetares së AMA-s në këtë forum konfirmon përfshirjen aktive të Shqipërisë në proceset ndërkombëtare për ndërtimin e një kornize rregullatore më të qëndrueshme dhe të harmonizuar me praktikat më të mira globale në fushën e qeverisjes së platformave digjitale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat