Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 15:01

AKU: Plehu Ure në treg rezulton konform standardeve, analizat rrëzojnë pretendimet për cilësi të ulët

Nga Edel Strazimiri

AKU: Plehu Ure në treg rezulton konform standardeve, analizat

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se produkti plehërues inorganik Ure që tregtohet në Shqipëri rezulton i regjistruar dhe në përputhje me standardet ligjore, pas një serie kontrollesh të kryera në të gjithë vendin.

Kontrollet u ndërmorën pas denoncimeve dhe pretendimeve për tregtim të plehut Ure me përmbajtje azoti më të ulët nga ajo e deklaruar në etiketë, si dhe për dyshime mbi përmbajtjen, ngjyrën dhe regjistrimin e produktit.

Sipas AKU-së, inspektimet janë zhvilluar në subjektet që merren me importin, magazinimin dhe tregtimin me shumicë e pakicë të këtij produkti. Gjatë kontrolleve janë marrë gjithsej 15 mostra, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin e produkteve plehëruese pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Fushë-Krujë.

Rezultatet e analizave kanë treguar se të gjitha mostrat janë konform kërkesave ligjore. Përqindja e azotit ka rezultuar në përputhje me atë të deklaruar në etiketë, ndërsa treguesit fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës janë vlerësuar sipas standardeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

AKU thekson se do të vijojë kontrollet në terren për të garantuar sigurinë e produkteve bujqësore dhe u bën thirrje fermerëve të denoncojnë çdo rast të dyshuar abuzimi me imputet bujqësore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat