Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2025, 09:59

Aksioni për faturat e prodhimeve bujqësore - Tatimet: Në 3 ditë janë kontrolluar 87 subjekte, u bllokuan 20 ton mallra

Nga Elisabeta Dosku

Aksioni për faturat e prodhimeve bujqësore - Tatimet: Në 3

Tre ditë nga nisja e aksionit në terren të administratës tatimore, i cili fokusohet në kontrollin e subjekteve për t’u siguruar që të lëshohet faturë tatimore për blerjen e produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, janë bllokuar afro 20 ton mallra për të cilat nuk disponohej dokumentacioni përkatës.

Këto mallra iu përkasin 87 subjekteve të inspektuara në ditët e para të këtij aksioni.

Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrata Tatimore përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor, duke synuar që çdo transaksion duhet të raportohet përmes sistemit të faturimit elektronik (E-fatura).

Administrata tatimore fton tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit tatimor për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi, tek konsumatori.

Administrata Tatimore thekson se individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

Me qëllim formalizimin e sektorit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, Administrata Tatimore ka njoftuar, më datë 7 korrik, tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, se më datë 14 korrik nis kontrolli në terren, për verifikimin e faturës së fiskalizuar, në zbatim të ligjit.

Për lëshimin e saktë të këtyre faturave, tatimpaguesit duhet të ndjekin disa hapa: Të zgjedhin opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën; Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic);  Të vendosen të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i); Të përshkruhen mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat