Shqipëria Postuar më 21 Prill 2026, 11:17

Aksidentet “fantazmë” dhe makinat e pasiguruara - Rreth 245 mln lekë dëme u mbuluan nga Fondi i Kompensimit në 2025

Nga Ledina Elezi

Aksidentet “fantazmë” dhe makinat e pasiguruara - Rreth 245 mln

Nuk janë aq të paktë ata drejtues që nuk sigurojnë makinën e tyre ose largohen nga vendi i ngjarjes, pasi kanë kryer një aksident duke qenë të pasiguruar. Çfarë ndodh në të tilla raste? Kompanitë e sigurimit kontribuojnë çdo vit për një Fond, i cili përdoret për të kompensuar dëmet e personit ose të makinës kur këto të fundit nuk janë siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), nga Fondi i Kompensimit janë paguar 245 milionë lekë dëme në 2025. Nga 250 milionë lekë që ishte përafërsisht Fondi total i Kompensimit kushtuar mbulimit të rasteve të tilla, vetëm 98.5% e kësaj vlere të fondit vjetor të miratuar rezulton të jetë përdorur, ndërsa ka akoma dëme pezull që nuk janë paguar.

Po ashtu, Fondi i Kompensimit për të dëmshpërblyer ata që nuk paguajnë për t'u siguruar drejtpërdrejt nga kompanitë e sigurimit, rezulton të jetë përdorur 30% më pak se në 2024, ku vlera e dëmeve të shlyera nga fondi ishte 350 milionë lekë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vijuar monitorimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), me fokus uljen e mëtejshme të dëmeve pezull objekt i fondit të kompensimit. Gjatë vitit të kaluar,  dëmet pezull u ulën me 8.7% krahasuar me vitin 2024.

Rreth 70% e rasteve të aksidenteve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara apo të paidentifikuara, janë trajtuar dhe paguar me procedura të përshpejtuara, drejtpërdrejt nga shoqëritë e sigurimit. Zakonisht, dëmet në makinë nuk janë kompensuar kur mjeti ka qenë i paidentifikuar.

Nga ana tjetër, kultura e sigurimit në Shqipëri vijon të jetë shumë larg vendeve të tjera.

Mesatarja e penetrimit të sigurimeve në vendet e OECD gjatë 2015–2024 është rreth 6.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke pasqyruar tregje të zhvilluara dhe një nivel të lartë të përdorimit të produkteve të sigurimit. Ndërsa vendet e Ballkanit lëvizin midis 1–2%, Shqipëria mbetet rreth 1%, ose gjashtë herë më poshtë se mesatarja e OECD, që tregon një treg ende në fazë zhvillimi e me potencial të konsiderueshëm për zhvillim.

Shqipëria 21 Prill Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar lëvizje të konsiderueshme të vlerës në raport me një ditë më parë teksa është blerë sot me 80.5 lekë dhe është shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat