Shqipëria Postuar më 9 Janar 2026, 10:09

Akset nacionale, të hapura për qarkullimin e mjeteve - ARRSH: Ngrica dhe temperatura të ulëta, autoritetet në gatishmëri 24/7

Nga Ernilda Luzi

Akset nacionale, të hapura për qarkullimin e mjeteve - ARRSH: Ngrica

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në orët e para të mëngjesit reshjet e shiut dhe të dëborës në të gjithë vendin kanë pushuar. Situata meteorologjike paraqitet më e qetë, megjithatë temperaturat e ulëta janë regjistruar në disa zona të vendit, veçanërisht në verilindje dhe në zonat malore.

Gjatë natës janë regjistruar temperatura ekstreme, ku vlerat më të ulëta janë shënuar në Valbonë me minus 18 gradë Celsius, në Kukës–Shishtavec me minus 13 gradë dhe në Theth me minus 8 gradë Celsius.

Ndërkohë, në aksin rrugor Klos–Burrel janë evidentuar rrëshkitje dherash si pasojë e reshjeve të shumta. Grupet e punës të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë ndërhyrë në terren, duke kryer pastrimin e materialeve inerte dhe duke garantuar rikthimin e qarkullimit normal të mjeteve, pa probleme për drejtuesit e automjeteve.

Sipas ARRSH, të gjitha akset nacionale janë aktualisht të hapura për qarkullimin e mjeteve. Kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë, me mjete borëpastruese dhe fuqi punëtore, për pastrimin e akseve rrugore nga dëbora.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga temperaturat e ulëta. Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për të gjitha automjetet që qarkullojnë në zonat malore, apo në segmentet rrugore ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash, ndërsa rekomandohet edhe pajisja me zinxhirë në akset problematike.

Gjithashtu, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo rast emergjence, me qëllim garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat