Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2025, 12:42

Air BnB në Shqipëri, konkurenca në turizëm po ul çmimet - Vathi: Rritja e ofertës ka sjellë ulje të çmimit mesatar në muaj

Nga Hamit Yzeiraj

Air BnB në Shqipëri, konkurenca në turizëm po ul

Po listohen më shumë apartamente, por mesatarisht po fitohet më pak. Sipas të dhënave nga Airbnb, në fillim të këtij viti ishin listuar rreth 23 mijë apartamente me qira ditore.

Ndonëse kjo shifër është gati 40% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nuk janë rritur në të njëjtin nivel. Si rezultat, fitimi mujor për një apartament të listuar ka pësuar rënie.

“Për sa kohë që janë shtuar ndjeshëm, mendoj se në uljen e të ardhurave mesatare ka ndikuar ndryshimi i strukturës së apartamenteve. Mund të jenë regjistruar apartamente me çmime më të ulëta dhe, natyrshëm, çmimi mesatar bie,” shprehet eksperti për turizmin, Besnik Vathi.

Rritja e listimeve të reja është vënë re kryesisht në Tiranë dhe në qytetet bregdetare si Vlora, Saranda, Lezha dhe Durrësi. Ndërkohë, disa qytete të tjera me potencial turistik ende nuk kanë përfituar nga ky zhvillim.

“Nëse në Pogradec apo qytete të tjera nuk vërehet ende një rritje e listimeve me qira ditore, do të thotë që turizmi atje është ende në fillesat e tij. Këto zona duhet të shoqërohen me aktivitete që i bëjnë më atraktive,” shton zoti Vathi.

Sipas të dhënave të Airbnb, pritet që korriku dhe gushti të sjellin kulmin e të ardhurave për apartamentet me qira ditore, duke arritur deri në 1500 euro në muaj, për shkak të kërkesës së lartë gjatë sezonit turistik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat