Shqipëria Postuar më 4 Shkurt 2025, 11:33

AIDA mbështetje deri në 2,5 milionë lekë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme!

Nga Edel Strazimiri

AIDA mbështetje deri në 2,5 milionë lekë për

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hap thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM),  për vitin 2025. AIDA administron  fondin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 43/2022 “Për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme”, i cili financohet nga buxheti i shtetit.

Kjo thirrje mbështet zhvillimin e NMVM-ve duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Kjo thirrje synon mbështetjen e NMVM-ve që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të vendit.

Projekt -propozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për NMVM për vitin 2025. Mbështetja financiare do të shkojë për mbulimin 100 % të shpenzimeve korente deri në 2, 5 milionë lekë.

Kostot e mbulueshme janë certifikimi i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë konsulencën përkatëse në fazën përgatitore); përmirësimi i produktit përmes etiketimit, ambalazhimit; trajnime të stafit të ndërmarrjes për rritje kapacitetesh në fusha të tilla si: menaxhimi i teknologjive digjitale/inovatore, rrjetet e prokurimit, shërbime marketingu, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit, sisteme të reja logjistike softwerike apo pajisje të reja, etj, dhe pajisje me certifikatat përkatëse nga subjekte të licencuara për trajnime; pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare me stenda të gatshme; krijimi i aplikacioneve apo platformave në funksion të zhvillimit të proceseve lidhur me tregtinë elektronike/e-commerce, produkteve të reja dhe/ose shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e industrisë së tregut në vend dhe rajon për të përmirësuar biznesin, sistemet logjistike etj; përgatitja e materialeve promovuese si: Banera, fletëpalosje, katalogë, broshura për përmirësim të imazhit të NMVM-ve (jo më shumë se 20% e kostos totale të projektit).

AIDA do të mbështesë NMVM-të me në fond deri në 1,5 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve kapitale për blerjen e makinerive që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit, që lidhen me konkurrueshmërinë.

Njëkohësisht me një fond deri në 1 milion lekë do të mbështesë bizneset për blerjen e makinerive tradicionale për të përmirësuar kushtet e punës për biznesin, apo aplikacioneve dhe/ose programeve të e-commerce për zhvillimin e artizanatit.

Thirrja për projektpropozime do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2025, ora 14:00. Projektpropozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet të realizohen brenda vitit buxhetor që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda muajit nëntor 2025. Për më shumë detaje vizitoni: https://aida.gov.al/nmvm-eksporte/nmvm/fondet-e-aida-s/

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat