Shqipëria Postuar më 1 Tetor 2025, 15:07

“Agjenda e Gjelbër kërkon buxhetim” - Muço: Të integrohet në kornizën e financave publike. Bashmili: Rëndësi, edhe financat vendore

Nga Ola Mitre

“Agjenda e Gjelbër kërkon buxhetim” - Muço: Të

Shqipëria ka ndërmarrë një sërë angazhimesh mjedisorë dhe klimatikë në kuadër të Agjendës së Gjelbër, por që këto angazhime të përkthehen në rezultate të prekshme, është thelbësore që ato të mbështeten me burime financiare, të planifikuara dhe të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme.  

Në Konferencën Kombëtare “Buxhetimi me Integritet në Shqipëri”, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, u diskutuan mënyrat sesi politikat duhet të përkthehen në parashikime konkrete buxhetore, duke propozuar integrimin e buxhetit të gjelbër në kornizën e financave publike.

“Kostot e përshtatjes sigurisht janë relativisht të larta për buxhetin modest që ka Shqipëria. Arrijnë në 6 mld për 10 vitet e ardhshme apo 0.6 - 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit. Sugjerohet integrimi i buxhetit të gjelbër në kornizën ekzistuese të menaxhimit të financave publike. E njëtja gjë që ka ndodhur me buxhetimin gjinor, që u vendos, u përcaktua me ligj dhe tashmë ministria përcakton një fond, ku vitin e kaluar ishte rreth 700 mln lekë”, - tha eksperti i financave publike, Klodian Muço.  

Sipas ekspertëve të mjedisit, ndryshimet klimatike, energjia e rinovueshme apo ekonomia qarkulluese janë sfida kryesore për vendin, ndaj buxhetimi i zgjuar, sidomos në nivel vendor duhet të jetë i bazuar në strategji.

“Lidhja e politikave kombëtare me politikat dhe veprimet që ndodhin në nivel qendror ka një fragmentim shumë të madh. Sot të gjitha bashkitë duhet të kishin implementuar tashmë pjesë nga Planet e Energjisë dhe Klimës, që duhet të bazoheshin kryesisht në ligjin “Për ndryshimet klimatike” dhe ligjin “Për eficiencën e energjisë”, si dhe në strategjitë dhe planet e veprimit për ndryshimet klimatike që janë në plan kombëtar, por bashkitë që ne monitoruam nuk i kishin këto plane”, - tha eksperti Kristi Bashmili, nga organizata All Green Centre.

Rëndësia që politikat mjedisore të shoqërohen me parashikime konkrete buxhetore është domosdoshmëri jo vetëm për t’iu përgjigjur me efektivitet sfidave të ndryshimeve klimatike, por edhe në drejtim të plotësimit të kushteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat