Shqipëria Postuar më 4 Prill 2026, 13:00

Administrimi i fondit pyjor - Drafti/ Ngrihet Shoqëria Shtetërore e Pyjeve, synohet zgjidhja e problemeve ekzistuese

Nga Ola Mitre

Administrimi i fondit pyjor - Drafti/ Ngrihet Shoqëria Shtetërore e

Krijim i një strukture të centralizuar, që do të administrojë dhe zhvillojë fondin pyjor shtetëror në vend. Gjithçka parashikohet në një projektligj të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit. Sipas draftit, Shoqëria Shtetërore e Pyjeve do të jetë një ndërmarrje me kapital 100% shtetëror, nën varësinë e ministrisë përgjegjëse për pyjet, me një kapital fillestar prej 50 mln lekësh.

Projektligji përcakton se qëllimi kryesor i kësaj shoqërie është administrimi i qëndrueshëm i pasurisë pyjore, duke përfshirë mbrojtjen e biodiversitetit, rehabilitimin e ekosistemeve dhe zhvillimin ekonomik të lidhur me pyjet. Në fushën e veprimtarisë përfshihet menaxhimi i pyjeve, ripyllëzimi, lufta ndaj zjarreve, si dhe aktivitete ekonomike si tregtimi i lëndës drusore, bimëve medicinale dhe kreditet e karbonit.

Sipas relacionit shpjegues, ndërhyrja ligjore vjen si përgjigje ndaj problematikave të sektorit, si fragmentimi institucional, mungesa e koordinimit dhe kontrolli i dobët mbi burimet pyjore. Autoritetet argumentojnë se modeli i ri synon të kalojë nga një sistem i shpërndarë në një menaxhim të centralizuar dhe profesional, në përputhje me standardet evropiane.

Ndër të tjera, përmes ngritjes së kësaj shoqërie synohet të gjenerohen të ardhura për buxhetin e shtetit dhe të nxitet zhvillimi ekonomik në zonat rurale.

Në planin mjedisor, pritshmëritë lidhen me reduktimin e aktiviteteve të paligjshme në pyje, përmirësimin e biodiversitetit dhe rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara. Ndërsa në planin institucional, synohet forcimi i kapaciteteve për monitorim dhe planifikim afatgjatë të sektorit pyjor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat