Shqipëria Postuar më 7 Shkurt 2025, 11:31

Administrata tatimore informon tatimpaguesit mbi deklaratat e reja mujore!

Nga SCAN TV

Administrata tatimore informon tatimpaguesit mbi deklaratat e reja mujore!

Administrata Tatimore dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilluan një trajnim të përbashkët për të informuar tatimpaguesit mbi zhvillimet më të fundit lidhur me deklaratat e reja mujore dhe DIVA 2024, në zbatim të ligjit të ri për “Tatimin mbi të Ardhurat”.

Gjatë trajnimit u trajtuan çështje kyçe si Deklarata e Tatimit në Burim, listëpagesa dhe efekti i Deklaratës së Statusit Personal, ndryshimet ligjore në Deklaratën DIVA 2024, si dhe afati i deklarimit. Po ashtu, u prezantuan risitë dhe zhvillimet që synojnë lehtësimin e procesit të deklarimit dhe vetëpërmbushjes së detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit.

Administrata Tatimore do të vijojë informimin dhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve dhe publikut mbi ndryshimet ligjore dhe zbatimin e tyre të saktë brenda afateve të përcaktuara, përmes të gjitha kanaleve të saj të komunikimit. Nga janari i këtij viti ka ndryshuar deklarata e listëpagesës, në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”. Bizneset dhe të punësuarit e tyre, aktualë dhe ata rishtazi, duhet të ndryshojnë deklaratën mbi statusin personal.

Deklarata e Statusit Personal:

Çdo i punësuar ka të drejtën e përfitimit të zbritjes nga vlera e tatueshme e të ardhurave nga paga, të shumave të përcaktuara, sipas pikës 1 të nenit 22 të ligjit të sipërcituar (ligjit për “Tatimit mbi të ardhurat”), vetëm 1 herë gjatë 1 periudhe kalendarike mujore.

Deklarata e statusit personal, sipas nenit 66 të ligjit të mësipërm, duhet të nënshkruhet nga të dyja palët (subjekti tatimpagues dhe i punësuari) përpara fillimit të marrëdhënies së punësimit (para pagesës së parë të të ardhurave të tatueshme të punësimit).

Ndryshimi në listëpagesën e re:

Do të përmbajë një kutizë për deklaratën e statusit personal. Kjo përzgjedhje (check) mundëson që të zbriten nga baza tatimore shumat e përcaktuara në varësi të pagës bruto që kanë. Të gjithë punëdhënësit, punëmarrësit e të cilëve rezultojnë të punësuar vetëm në një punëdhënës (përpara datës 01.01.2025) do ta kenë automatike check box për “statusin personal”, por ata do e mbajnë këtë check vetëm në rast se punëmarrësi dhe punëdhënësi kanë nënshkruar deklaratën e Statusit Personal.

Në rast se një individ është i punësuar në më shumë se një punëdhënës, kutia nuk do të jetë e plotësuar pasi deklarata e statusit personal duhet dhe mund të përzgjidhet vetëm nga njëri prej punëdhënësve, i cili duhet të përcaktohet nga vetë i punësuari.

Risi është se rreth 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës do të duhet të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, e njohur me emrin DIVA. Këtë detyrim e ka çdo individ që ka të ardhura në masën 1,2 milionë lekë në vit dhe nuk është i dypunësuar, sikurse edhe çdo person i dy apo më shumë punësuar, pavarësisht të ardhurave.

Individët do të duhet t’i deklarojnë te formulari që njihet me emrin DIVA, që gjendet në faqen e Tatimeve, pasi të jenë regjistruar. Afati i fundit i deklarimit të DIVA-s është data 31 mars.

Një vit më parë këtë detyrim e kishin vetëm ata që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë. Këtë vit kufiri është ulur në 1,2 milionë lekë bruto. Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat