Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 15:33

ACRIS, regjistri që digjitalizon kërkimin shkencor/ Transparencë mbi projektet, fondet publike dhe kontributin akademik

Nga Fabjona Pasho

ACRIS, regjistri që digjitalizon kërkimin shkencor/ Transparencë

Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS), një platformë kombëtare që do të centralizojë të gjithë informacionin mbi aktivitetin shkencor në Shqipëri.

Sipas vendimit, sistemi do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe do të përfshijë të dhëna mbi institucionet e kërkimit, kërkuesit shkencorë, projektet e financuara me fonde publike, infrastrukturën kërkimore, si dhe doktoraturat dhe punimet e diplomave të mbrojtura. Në databazë do të regjistrohen gjithashtu titujt e projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, fushat e studimit, financuesit, shumat e përfituara dhe partnerët përkatës. Pjesë e sistemit do të jetë edhe lista e përditësuar e kontributeve shkencore të personelit akademik dhe kërkimor.

ACRIS do të ndërveprojë me disa baza të tjera shtetërore, përfshirë Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, portalin “e-Albania”, Sistemin e Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë dhe Regjistrin Tregtar. Individët do të kenë akses si lexues nëpërmjet ndërfaqes online të AKKSHI-së dhe portalit “e-Albania”.

Sipas qeverisë, krijimi i këtij sistemi synon rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë dhe standardizimit të aktivitetit kërkimor në vend, në përputhje me praktikat europiane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat