Shqipëria Postuar më 26 Nëntor 2025, 13:01

AAPSK zgjeron projektet sociale, tjetër pasuri e konfiskuar në shërbim të rehabilitimit të viktimave të trafikimit

Nga SCAN TV

AAPSK zgjeron projektet sociale, tjetër pasuri e konfiskuar në

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) zgjeron më tej projektet e ripërdorimit social, si pjesë e misionit të saj për t’i kthyer pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në shërbim të komunitetit, përmes bashkëpunimeve me organizata me kontribut të posaçëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Së fundmi, AAPSK ka nënshkruar një kontratë të re huapërdorjeje me organizatën “Të Ndryshëm & Të Barabartë”, për vënien në dispozicion të një objekti të konfiskuar, me qëllim përdorimin e tij për shërbime sociale.

Sipas kontratës, objekti do të përdoret për rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit, një prej kauzave më të rëndësishme të organizatës, në përputhje me Vendimin e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, datë 06.11.2025, për kalimin në përdorim pa pagesë të kësaj pasurie.

Ky partneritet i ri përbën një tjetër hap të rëndësishëm në vizionin e AAPSK për ripërdorimin social të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke e shndërruar atë në një mekanizëm konkret mbështetjeje për viktimat e trafikimit, individë dhe grupe vulnerabël,projekte sociale dhe komunitare, si edhe programe rehabilitimi dhe ri-integrimi.

Nën drejtimin e Kryeadministratores Risena Xhaja, AAPSK po zgjeron ndjeshëm bashkëpunimet me organizata vendase dhe ndërkombëtare, si pjesë e një programi të gjerë të orientuar drejt       rritjes së transparencës në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, rritjes së efektivitetit të ripërdorimit social të këtyre pasurive, krijimit të mundësive reale për shërbime komunitare dhe sociale, si edhe forcimit të politikave të parandalimit të krimit të organizuar përmes rikthimit të pasurive në funksion publik.

Kontrata e nënshkruar me “Të Ndryshëm & Të Barabartë” është një shembull i qartë i këtij qasjeje: një objekt që dikur ka qenë pjesë e aktivitetit kriminal, sot kthehet në një hapësirë që ofron strehim, kujdes dhe mbështetje për njerëzit në nevojë.

Projekti i ri pritet të ketë ndikim konkret në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes sociale, integrimin e viktimave të trafikimit në shoqëri, rritjen e infrastrukturës së qendrave të specializuara që ofrojnë mbështetje psikologjike, sociale dhe profesionale, si dhe zbatimin e angazhimeve të Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Në kontratë përcaktohet qartë se destinacioni i objektit është ekskluzivisht rehabilitimi dhe riintegrimi dhe nuk mund të ndryshohet pa miratimin paraprak të AAPSK, duke garantuar ruajtjen e qëllimit të tij social.

Nënshkrimi i kësaj kontrate vjen në kuadër të nismave të tjera të ndërmarra nga AAPSK, e cila gjatë vitit 2025 ka zgjeruar bashkëpunimet me organizata të shoqërisë civile, institucione shtetërore, programe sociale dhe edukative dhe projekte komunitare me vlerë të lartë.

Ky model i ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara përputhet me praktikat më të mira europiane, duke kthyer asetet e krimit të organizuar në instrumente për zhvillim social, integrim dhe mbrojtje të grupeve vulnerabël.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat