Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 13:48

AAPSK dhe UNICEF Shqipëri nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e pasurive të konfiskuara në hapësira sociale për fëmijët dhe komunitetin

Nga SCAN TV

AAPSK dhe UNICEF Shqipëri nënshkruajnë marrëveshje

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe UNICEF Shqipëri nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim transformimin e pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar në hapësira të dobishme për fëmijët, të rinjtë dhe  komunitetin.

Kjo marrëveshje synon që pasuritë e konfiskuara të shndërrohen në qendra dhe mjedise sociale që promovojnë të drejtat e fëmijëve, ofrojnë shërbime dhe mundësi për të rinjtë, si edhe fuqizojnë komunitetin në luftën për një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Bashkëpunimi parashikon identifikimin dhe vënien në dispozicion të pasurive të konfiskuara nga AAPSK, ndërsa UNICEF Shqipëri do të ofrojë ekspertizën ndërkombëtare, praktikat më të mira dhe mbështetjen teknike për t’i transformuar këto pasuri në modele funksionale që i shërbejnë zhvillimit social.

AAPSK dhe UNICEF Shqipëri nënshkruajnë marrëveshje

Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi:

“Sot hedhim një hap të madh përpara në kthimin e pasurive të konfiskuara në vlerë të prekshme për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë shoqërinë. Nëpërmjet këtij partneriteti me UNICEF Shqipëri, ne jo vetëm që i japim një destinacion të ri këtyre pasurive, por ndërtojmë hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë ndihen të mbrojtur, të përfshirë dhe të fuqizuar. Ky proces është një shembull konkret i mënyrës sesi drejtësia mund të shndërrohet në mundësi për komunitetin.”

Nga ana e tij, Përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri, z. Murat Sahin, vuri në dukje se kjo marrëveshje është në linjë me angazhimin e UNICEF për të mbështetur të drejtat e fëmijëve në Shqipëri:

“Transformimi i pasurive të konfiskuara në hapësira për fëmijët dhe komunitetin është një nga mënyrat më të forta për të kthyer drejtësinë sociale në realitet. UNICEF është i angazhuar të bashkëpunojë me AAPSK në këtë nismë, duke sjellë ekspertizën dhe përvojën ndërkombëtare për të krijuar mjedise që u japin fëmijëve mundësi të reja për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u përfshirë në jetën shoqërore. Ky është një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e vendit.”

Marrëveshja e nënshkruar do të shërbejë si bazë për një sërë iniciativash të përbashkëta, përfshirë krijimin e qendrave komunitare në pasuritë e konfiskuara; programe të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë në fusha si edukimi, shëndeti mendor dhe përfshirja sociale; fuqizimin e organizatave vendore për të menaxhuar dhe mirëmbajtur këto hapësira; si edhe ngritjen e modeleve të qëndrueshme të ripërdorimit social që mund të shërbejnë si shembull edhe në rajon.

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm në kthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në një aset të përbashkët për shoqërinë shqiptare. Ai përforcon mesazhin se pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund dhe duhet të rikthehen si burim i zhvillimit dhe i shpresës për brezat e rinj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat