Shqipëria Postuar më 24 Janar 2026, 11:25

A e ke plotësuar DIVA 2025? Afat deri më 31 mars/ Kush duhet të deklarojë dhe përfitimet e reja për prindërit

Nga Alida Lula

A e ke plotësuar DIVA 2025? Afat deri më 31 mars/ Kush duhet të

Qytetarët vijojnë të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, e njohur si DIVA 2025, përmes platformës online e-Filing, ndërsa afati i fundit për deklarim është 31 mars 2026.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrimi për dorëzimin e deklaratës u përket individëve që gjatë vitit 2025 kanë pasur një pagë mujore mbi 100 mijë lekë, ose të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë. Deklarata është e detyrueshme gjithashtu për personat e dypunësuar, si edhe për ata që kanë përfituar të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.

Në këtë kategori përfshihen edhe të ardhurat e siguruara nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking dhe Airbnb, të cilat tashmë janë pjesë e fokusit të administratës tatimore.

Risi e rëndësishme për këtë vit lidhet me përfitimet për familjet me fëmijë. Për herë të parë, prindërit me fëmijë nën moshën 18 vjeç do të kenë mundësi të përfitojnë një zbritje nga baza e tatueshme në vlerën 48 mijë lekë për çdo fëmijë. Kjo lehtësi do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, ai që ka të ardhurat më të larta në familje. Për këtë skemë të re, qeveria ka parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit.

Edhe qytetarët që nuk kanë detyrim ligjor për të dorëzuar DIVA-n, mund ta plotësojnë deklaratën në mënyrë vullnetare për të përfituar nga këto lehtësira fiskale. Tatimpaguesit mund të kontrollojnë deklaratën e tyre të paraplotësuar në sistemin e-Filing dhe të aplikojnë për zbritjet që u takojnë, duke e bërë procesin më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt.


 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat