Shqipëria Postuar më 21 Tetor 2025, 10:43

A do shkurtohen vende punë në fasoneri nga IA? - Prençe: 1 pajisje mbulon 5 punonjës. Transformohet industria

Nga Elisabeta Dosku

A do shkurtohen vende punë në fasoneri nga IA? - Prençe: 1

Zhvillimi i vrullshëm i inteligjencës artificiale po prek çdo sektor të ekonomisë, që nga prodhimi, eksporti, shërbimet, duke e bërë më pak të nevojshme fuqinë e forcës punëtore.  P

or a do të jenë punonjësit në ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve të rrezikuar nga ky fenomen dhe a do të zgjidhet kriza e punonjësve në Shqipëri përmes investimeve?

Kryetari i Proeksport Albania, Edvin Prençe e sheh si domosdoshmëri investimin në këtë drejtim për të rritur produktivitetin dhe për të ulur kostot, por nga ana tjetër shprehet se nuk është qëllimi që të shkurtohen vendet e punës.

“ Për të blerë një makineri të teknologjisë së lartë kushton 30-40 mijë euro.  Për një proces për të cilin të duhet të 4-5 punonjës për të bërë atë punë, e zëvendëson me një makineri që të çon në rritje të cilësisë sepse bën proces standard dhe dora është dorë, por nga ana tjetër jo se këta 4 punonjës ne do ti heqim nga puna dhe do ti çojmë në shtëpi, por do ti orientojmë drejt proceseve të tjera të punës.  Teknologjia kushton, por në fund të ditës, benefiti dhe ajo çfarë kthen mbrapsht është shumë e madhe.  Unë e kam thënë gjithmonë dhe do vazhdoj ta riktheksoj. Qeveria duhet të shohë bizneset si partner, sepse në rast se një biznes gëzon shëndet dhe ka rritje të qarkullimit, benefitet i ka dhe qeveria sepse do paguash taksa që do paguash. Ndaj e vë theksin tek bashkëpunimi tre palësh, biznesi, qeveria dhe institucionet universitare dhe profesionale, të cilat duhet të japin mentorimin e nevojshëm.”

Ndërsa eksperti i inteligjencës artificiale, Elton Domnori, thekson se në kompani ku janë futur këto teknologji,  eksperienca ka treguar që punonjësit do të shërbejnë për procese të reja.

“Do krijohen procese të reja, do përmirësohen ato që janë. Të gjithë revolucionet teknologjike nuk kanë sjellë një rënie kaq drastike të fuqisë punëtore, do kanalizohen më shumë tek përdorimi, do ketë më shumë teknikë për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve,  pasi këto persona do trajnohen të bëjnë teknikun, mirëmbajtjen, montimin, pra do kalojnë tek pjesa teknologjike, por nuk do rrinë pa punë”.

Ndërsa sipas Prençes, rreziku më i madh për humbjen e vendeve të punës është nëse bizneset nuk investojnë në teknologji, pasi nuk janë konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe detyrohen të mbyllen.

Sipas tij investimi dhe përdorimi inteligjencës artificiale është domosdoshmëri edhe në situatën në të cilën ndodhemi, ku po tentojmë të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. 

Në industrinë e veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë operojnë mbi 800 ndërmarrë aktive dhe janë të punësuar mbi afro 70 mijë punonjës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat