Shqipëria Postuar më 3 Prill 2026, 13:25

A do formalizohet sektori i bukurisë me pagat indikative? - Hasalla: Tatimet duhet ta ndjekin me rigorozitet që të japë efektin e duhur

Nga Diamila Leka

A do formalizohet sektori i bukurisë me pagat indikative? - Hasalla:

Sektori i kujdesit personal, një nga më të ekspozuarit ndaj informalitetit, është vënë në qendër të vëmendjes së Administratës Tatimore. Përmes përcaktimit të pagave indikative për profesione si parukierë, estetistë apo instruktorë personalë, synohet të evidentohen rastet kur të ardhurat reale nuk deklarohen sipas nivelit të punës.

Gertjana Hasalla Eksperte Punësimi:

"Realisht kjo masë e re e pagës indikative, që në bazë është një pagë reference e vendosur për profesione të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe sektorin e bukurisë ose kujdesit personal në këtë rast, është një masë e mirëmenduar dhe një masë e nevojshme. Ajo çka ne duhet të mendojmë gjithashtu është nëse realisht sektori i tatimeve dhe i gjithë departamenti do të ketë mundësi ta ndjekë këtë masë hap pas hapi në zbatimin e saj."

Sipas ekspertes, paga indikative nuk është një detyrim ligjor, por një instrument që përdoret nga tatimet për të vlerësuar nivelin e riskut të bizneseve, bazuar në pagat që deklarojnë për punonjësit.

"Paga minimale është një detyrim ligjor. Ndërkohë që paga indikative është një pagë e cila përdoret nga tatimet për të parë nëse realisht një biznes kategorizohet me risk të lartë, me risk të mesëm ose me risk të ulët. Pra, nëse tatimet shikojnë që ti ke persona specialistë të punësuar, të cilët marrin vetëm pagën minimale, të kategorizojnë si një biznes me risk të lartë dhe vijnë dhe shikojnë realisht nëse këta persona i përkasin kësaj kategorie që ti ke vendosur apo i përkasin një kategorie tjetër.

Dhe kjo vendoset gjithmonë në bazë të eksperiencës së punonjësit, në bazë të edukimit të punonjësit, në bazë të kategorisë së punës. Duke parë këtë gjë, tatimet mund të marrin masa administrative, e para me vendosjen e gjobave, e dyta patjetër paralajmërime, por edhe masa të tjera administrative penale të lidhura me të. Pra duhet të jemi gjithmonë më të kujdesshëm tashmë si biznese edhe në sektorin e kujdesit personal ose të bukurisë, të estetikës, të marrim punonjës për atë kategori pune dhe t'i paguajmë sipas kategorisë në mënyrë të saktë, jo duke i dhënë në mënyrë informale para në dorë ose para ekstra të cilat nuk janë të deklaruara."

Sipas Hasallës, mosdeklarimi deri tani ka bërë që ekonomia shqiptare të jetë informale në këto sektorë, dhe nuk sjell mundësinë e rritjes së pensioneve gjithashtu.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat