Shqipëria Postuar më 9 Mars 2026, 11:44

93.75 mln lekë për rrëshqitjen e Librazhd-Prrenjas/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën gati tenderin për rrugën alternative

Nga Ola Mitre

93.75 mln lekë për rrëshqitjen e Librazhd-Prrenjas/ Autoriteti

Sistemimi i rrëshqitjes në aksin Librazhd - Prrenjas do të kushtojë 93.750.000 lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik procedurën tenderuese, që do të jetë me negocim, pa njoftim. Kjo do të thotë se përzgjedhja e kompanisë që do kryejë punimet për rrugën alternative do të kontraktohet drejtpërdrejt, pa zhvilluar garë të hapur.

Rrëshqitja në pikën e njohur si “Arrat e Gurrës” bllokoi lëvizjen e automjeteve drejt juglindjes nga aksi kryesor për 11 ditë, ndërkohë që aktualisht kalimi bëhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm. Kjo deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, që do të jetë në shtratin e lumit Shkumbin dhe e integruar me trupin e hekurudhës.

Segmenti provizor funksionon me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.

Autoritetet kanë deklaruar se rrëshqitja e ndodhur në këtë segment nuk ka lidhje me investimin për korridorin VIII, por ka ndodhur për shkaqe natyrore. Ndërkohë që, një pjesë e ekspertëve deklarojnë se rrëshqitja ka ardhur si pasojë e punimeve të kryera për ndërtimin e aksit të ri të korridorit VIII, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime të shumta lidhur me ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin.

Aktualisht, qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas është i hapur për të gjitha mjetet duke përfshirë edhe tonazhin e rëndë, por duke respektuar ngarkesën 8.2 ton për aks.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat