Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2025, 10:36

891 milionë lekë për Censin e Bujqësisë - Parashikohen gjoba kush nuk jep informacione të sakta

Nga Diamila Leka

891 milionë lekë për Censin e Bujqësisë - Parashikohen
Pas përmbylljes së Censit të Popullsisë dhe Banesave në vitin 2023, Instituti i Statistikave po përgatitet për Censin e Bujqësisë. Projektligji është nxjerrë për konsultim publik, ndërsa synimi është që ky cens të mbulojë të gjitha njësitë ekonomike që përdorin tokë bujqësore ose që kryejnë aktivitete bujqësore dhe blegtorale brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Këto njësitë ekonomike mund të tregtojnë plotësisht apo pjesërisht produktet e tyre, ose t’i përdorin vetëm për nevoja familjare. Qëllimi i censit është të mbulojë 98 për qind të sipërfaqes së përdorur për bujqësi, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98 për qind të njësive blegtorale në të gjithë vendin.

Nga ana financiare, ky proces pritet të kushtojë rreth 891 milionë lekë. Mbi gjysmën e kësaj shume, ose 475 milionë lekë, do të përdoren për pagesën e burimeve njerëzore, ku përfshihen anketues, kontrollorë, specialistë IT dhe staf mbështetës në fushat e financës, ligjit dhe logjistikës. Shpenzimet për udhëtime dhe monitorime në terren janë planifikuar në vlerën 17 milionë lekë.

Për pajisjet dhe furnizimet, ku përfshihen kryesisht marrja me qira e makinave dhe pajisjet kompjuterike për stafin, janë parashikuar rreth 60 milionë lekë. Gjithashtu, në buxhet janë llogaritur edhe 29 milionë lekë për zyrat me qira, që do të përdoren për trajnime dhe operacione gjatë zhvillimit të censit në terren.

Për zbatimin e këtij procesi ngarkohen Instituti i Statistikave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila do të sigurojë personelin e specializuar dhe mbështetjen e nevojshme për realizimin e aktivitetit.

Sipas projektligjit, refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar apo dhënia e të dhënave të rreme do të gjobitet me vlerë që varion nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.

Ky Cens i Bujqësisë është një nga proceset më të rëndësishme statistikore në vend, i cili do të sigurojë të dhëna të sakta dhe të përditësuara për sektorin bujqësor dhe blegtoral, duke ndihmuar në hartimin e politikave zhvillimore dhe menaxhimin më të mirë të burimeve rurale në Shqipëri.

 

Shqipëria 31 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan është blerë këtë të enjte me 84 lekë dhe është shitur me 85.5 lekë duke e mbyllur muajin në rritje sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat