Shqipëria Postuar më 3 July 2026, 12:58

8.9 miliardë lekë më shumë për shëndetësinë - Investime në barna, shërbime spitalore dhe mbështetje sociale

Nga Fabjona Pasho

8.9 miliardë lekë më shumë për

Buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2026 i shtohen 8.9 miliardë lekë krahasuar me parashikimin fillestar.

Sipas ministrisë, kjo përbën rritjen më të madhe të buxhetit të këtij institucioni. Një pjesë e rëndësishme e fondeve shtesë do të shkojë për financimin e barnave onkologjike, me një rritje prej 3 miliardë lekësh, me qëllim garantimin e aksesit në terapi më inovative dhe më efektive për pacientët me sëmundje onkologjike.

Buxheti i rritur do të mbështesë gjithashtu rritjen e pagave në sistemin shëndetësor, e cila është zbatuar në janar 2026, si dhe vijimin e rritjes së pagave për personelin e Shërbimit të Urgjencës në të gjithë vendin.

Në fushën e mirëqenies sociale, parashikohet dyfishimi i pagesës së aftësisë së kufizuar për fëmijët, nga e cila pritet të përfitojnë drejtpërdrejt 10,240 fëmijë. Po ashtu, fondet do të mundësojnë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, rritja e buxhetit do të shkojë edhe për investime në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, me synim standardizimin dhe modernizimin e shërbimeve spitalore dhe të kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë vendin.

Në projektbuxhetin e miratuar më herët për vitin 2026, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ishte parashikuar në rreth 82 miliardë lekë. Me shtesën prej 8.9 miliardë lekësh, buxheti total për 2026 arrin në rreth 90.9 miliardë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat