Shqipëria Postuar më 19 Mars 2026, 12:47

80 biznese ofrojnë mbi 2 mijë vende të lira pune - Ribaj: Nevoja për një urë të re bashkëpunimi mes shtetit dhe sipërmarrjes

Nga Diamila Leka

80 biznese ofrojnë mbi 2 mijë vende të lira pune - Ribaj: Nevoja

Tregu i punës në Shqipëri po kalon përmes një faze dinamike ku kërkesa për forcë punëtore mbetet e lartë. Në panairin e fundit, rreth 80 biznese kanë shpallur vakancat e tyre, duke synuar rekrutimin e menjëhershëm të personelit në profile të ndryshme. Përtej punësimit të drejtpërdrejtë, vëmendje e shtuar po i kushtohet orientimit të karrierës.

Arsimi i mesëm profesional po promovohet si një zgjedhje strategjike për nxënësit dhe prindërit, me synim integrimin më të shpejtë dhe më cilësor në tregun e punës.

Gertiola Çepani Drejtoreshë e Shërbimeve të tregut të punës, AKPA: “Në këtë panair janë mbi 80 biznese që kanë shpallur vendet e lira të punës, por gjithashtu kemi dhe pjesëmarrjen e universiteteve, të qendrave të formimit profesional, të zyrave të punës. Nga punëdhënësit që janë në panair janë rreth 2,000 vende të lira pune, përveç 5,500 të tjerave që janë të shpallura tashmë aktive në portalin e punësimit puna.gov.al. Përveç punësimit, në fakt në këtë panair promovojmë dhe arsimin e mesëm profesional për të gjithë prindërit apo nxënësit që duan të zgjedhin arsimin e mesëm profesional si një nga zgjedhjet më të mira tashmë edhe për integrimin në tregun e punës.”

Nevoja për një qasje më fleksibël ndaj ndryshimeve të tregut shihet si çelësi i suksesit, ku sektori privat mbetet më i shpejti në adoptimin e risive.

Artur Ribaj Pedagog: "Panairi është një vendtakimi mes palëve që duhet të kenë interesa të përbashkëta, ku të mund të shkëmbejnë mendimet dhe ofertat e tyre apo kërkesat për t'u arritur dhe për t'u plotësuar. Është organizim shumë i mirë, është i domosdoshëm, por duhet të ketë më tepër pjesëmarrje. Gjithashtu mendoj se duhet të ketë një bashkëpunim më të madh mes institucioneve publike dhe universiteteve private, të cilat janë më fleksibël për t'iu përshtatur tregut dhe ndryshimeve dhe nevojave. Pra, gjithmonë tek privati kemi qasje më të shpejtë ndaj ndryshimeve dhe risive."

Sfidat e tregut të punës kërkojnë jo vetëm vende të lira, por mbi të gjitha kualifikim të duhur dhe bashkërendim të kërkesës së biznesit me ofertën akademike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat