Shqipëria Postuar më 22 Gusht 2026, 10:31

8 vatra zjarri aktive në vend/ Puka dhe Mirdita, më të rrezikuarat

Nga Fabjona Pasho

8 vatra zjarri aktive në vend/ Puka dhe Mirdita, më të

Flakët vijojnë të mbajnë në alarm disa zona të vendit. Situata më e vështirë gjatë orëve të fundit është regjistruar në Pukë dhe Mirditë, ku zjarret kanë detyruar edhe evakuimin e banorëve.

Sipas bilancit më të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes , gjatë së premtes u  regjistruan 26 vatra zjarri, 8 prej të cilave mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe një nën kontroll. Në operacione janë angazhuar 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Gojan–Gjegjan të Pukës, flakët iu afruan banesave dhe situata kërkoi evakuimin e disa banorëve. Në Gojan të Madh u dogjën katër banesa të pabanuara, ndërsa ndërhyrja e forcave mundësoi shpëtimin e shtëpive të tjera. Operacioni vijon edhe në drejtim të Tërbunit.

Situatë e vështirë u regjistrua edhe në Mirditë, në zonat e Tenës, Shtanës dhe Shtufit, ku terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen. Në Shtanë u evakuuan banorë për shkak të afrimit të flakëve, ndërsa operacioni u mbështet edhe nga ajri.

Në Dukat të Vlorës, zjarri i përhapur në drejtim të zonës malore vijon të mbahet nën monitorim, pa rrezik për banesat. Ndërhyrjet kanë vijuar me forca tokësore dhe avionët Air Tractor.

Edhe në Malin e Dajtit puna vijon për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë e tyre është izoluar, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Gjatë së premtes vatra aktive u raportuan gjithashtu në Kalivaç, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht, ndërsa zjarri në Malin e Milotit u shua dhe zona mbetet nën mbikëqyrje.

Përtej rrezikut për njerëzit dhe banesat, zjarret po lënë pas edhe dëme të konsiderueshme në pyje, kullota dhe sipërfaqe me bimësi.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat