Shqipëria Postuar më 14 Shkurt 2026, 10:29

795 euro financim për çdo fermer/ Skema Kombëtare 2025, 52 milionë euro u ndanë mbi 65 mijë fermerë

Nga Elisabeta Dosku

795 euro financim për çdo fermer/ Skema Kombëtare 2025, 52

Skema Kombëtare e Subvencioneve 2025 mbështeti 65,435 fermerë në të gjithë vendin, me një fond total prej 5.1 miliardë lekësh apo 52 milionë eurosh.
Përmes tetë masave mbështetëse, fermerët u subvencionuan për blegtorinë, bletarinë, prodhimin në serra, kultivimin e bimëve mjekësore - aromatike, fermat organike, certifikimin GlobalG.A.P., si edhe për naftën në punimet e mekanizuara në bujqësi.
Numri më i lartë i përfituesve ka qenë për naftën që përdoret për punime të mekanizuara në bujqësi, ku në total pagesat kanë shkuar për 50.062 përfitues dhe janë hedhur në llogaritë e tyre personale bankare sipas sipërfaqes së tokës që kanë deklaruar.
Ndërkohë një numër të lartë përfituesish ka pasur edhe blegtoria, ku janë financiuar 3791 blegtorë për tufën bazë të matrikuluar gjedhë dhe 5275 për tufën bazë të matrikuluar të imta.
4135 përfitues, me nga 1 mijë lekë për koshere janë bletarë në të gjithë vendin.
1307 fermerë kanë përfituar pagesa për fara, fidanë dhe inpute të tjera.
751 përfitues janë në sektorin e bimëve aromatiko-mjekësore, 110 përfitues të fermave organike dhe 4 përfitues për certifikimin Global Gap.
Nëse do të bënim një mesatarizim të fondit total të shpërndarë nga Skema Kombëtare dhe numrit të fermerëve përfitues, rezulton se mesatarisht një fermer ka përfituar rreth 795 euro mbështetje.
Kjo mbështetje kontribuon drejtpërdrejt në uljen e kostove, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në të gjithë vendin.
Ndërkaq, vendimi për skemën kombëtare 2026 pritet të miratohet së shpejti dhe këtë vit parashikohet të ketë ndryshime të kritereve, duke synuar targetim më të mirë të fermerëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat