Shqipëria Postuar më 15 Maj 2025, 11:19

79 milionë euro për energjinë - BE-Shqipëri, grante për 8000 familje. 130 stacione karikimi për makinat elektrike

Nga Ola Mitre

79 milionë euro për energjinë - BE-Shqipëri, grante për

Programi operacional shumëvjeçar për energjinë në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III) do të jetë 79 mln euro. Në Kuvend ka mbërritur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, sipas të cilës 50 mln euro janë buxhet i BE-së, ndërsa pjesa tjetër prej 29 mln euro janë bashkëfinancim i qeverisë shqiptare.

Financimi parashikon 3 fusha mbështetjeje. E para përfshin mbështetje për energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë së ndërtesave dhe do të jetë nëpërmjet investimeve, të cilat do të kryhen në ndërtesat publike në katër bashki të përzgjedhura, duke përfshirë zyrat, kopshtet, bibliotekat, qendrat sociale dhe kulturore etj. Përveç kësaj, programi operacional do të bashkëfinancojë burimet e rinovueshme të energjisë dhe masat e eficiencës së energjisë në rreth 8000 familje private nëpërmjet një sërë skemash grantesh.

Fusha e dytë e mbështetjes përfshin përdorimi i infrastrukturës për karikimin me shpejtësi të lartë të makinave elektrike. Ajo do të fokusohet në harmonizimin e acquis-së, investime, asistencë teknike, si dhe në studimet e fizibilitetit. Për sa i përket investimeve, programi operacional do të asistojë në instalimin e 130 stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike, transformatorë të energjisë (nëse është e nevojshme) dhe një sistem teknologjik të përmirësuar për menaxhimin e rrjetit të stacioneve të karikimit.

Ndërkohë, fushat e tretë e mbështetjes është eficienca e energjisë dhe mbrojtja e mjedisit në sektorin e ujit. Komponenti i investimit do të fokusohet në sigurimin e masave të efikasitetit të energjisë, si dhe zëvendësimin e sistemeve të pompave në infrastrukturën e furnizimit me ujë për shtatë ndërmarrje ujësjellësish. Gjithashtu, do të instalohen sisteme të vogla fotovoltaike të pavarura me një kapacitet total të kombinuar deri në 15 MW.

Periudha e ekzekutimit të marrëveshjeje financiare do të fillojë me hyrjen në fuqi të saj dhe do të përfundojë 12 vjet pas kësaj date.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat