Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2025, 10:50

“6.7 mld euro të ardhura nga turizmi” - Strategjia 2030, “luftë” informalitetit. Rritje e shtretërve, por jo për qiratë afatshkurtra

Nga Ola Mitre

“6.7 mld euro të ardhura nga turizmi” - Strategjia 2030,

Strategjia e re Kombëtare për Turizmin 2025–2030 vendos objektiva ambiciozë për transformimin e sektorit në një shtyllë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Dokumenti i publikuar në Fletoren Zyrtare, që do të orientojë zhvillimin e sektorit në 5 vitet e ardhshme, parashikon që të ardhurat nga turizmi të arrijnë në 6.7 mld euro euro deri në fund të dekadës, nga 4.16 mld euro që ishin në vitin 2023.

Strategjia synon rritjen me 76% të kapacitetit të shtretërve, duke arritur mbi 477 000 shtretër. Rritja përqëndrohet te shtretërit e hoteleve në masën 28% të strukturës totale, ndërkohë që shtretërit në struktura akomoduese me qira afatshkurtër do të reduktohen në masën 6%. 

Zhvillimi i sektorit do bazohet në gjashtë prioritete kyçe të zhvillimit që janë: investimet, politika rregullatore dhe fiskale e turizmit, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve. Për secilën prej prioriteteve përcaktohen politikat përkatëse që do të ndiqen, duke specifikuar se në drejtim të investimeve do të zbatohen një gamë stimujsh fiskalë, mekanizma mbështetës dhe skema të përshtatura të investimeve për të tërhequr investitorët vendas dhe ndërkombëtarë në projektet turistike.

Një fokus i theksuar i vendoset informalitetit në sektor, ndërsa për ta luftuar parashikohet një reformë e thellë në sistemin e taksave të turizmit. Aktualisht, të ardhurat nga taksa e fjetjes vlerësohen rreth 21.6 mln euro, ndërsa objektivi i ri është që kjo shifër të arrijë në 70.5 mln euro deri në 2030. Kjo do të arrihet përmes një sistemi të ri, që përfshin edhe ofruesit e akomodimit afatshkurtër si apartamente apo platforma online. Në ndryshim nga drafti i nxjerrë për konsultim publik vitin që shkoi, dokumenti i miratuar nuk parashikon vendosjen e një takse të sheshtë, që synonte të siguronte rreth 14.5 mln euro të ardhura.

Ndërkaq, strategjia propozon ngritjen e një task - force të posaçme për monitorimin dhe ndëshkimin e informalitetit, me bazë përdorimin e të dhënave dixhitale dhe koordinim ndërinstitucional.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat