Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 10:59

6.500 vende të lira për punëkërkuesit - AKPA: Mundësi të shumta për profesionistë dhe punëtorë të thjeshtë

Nga Ernilda Luzi

6.500 vende të lira për punëkërkuesit - AKPA: Mundësi

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka vënë në dispozicion 6.500 vende të lira pune në të gjithë vendin.

Qindra pozicione janë të disponueshme në sektorë të ndryshën, duke reflektuar një kërkesë të gjerë për profesionistë dhe punëtorë në fusha të ndryshme. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, vende të lira pune përfshijnë pozicione si ekonomistë, menaxherë, specialistë komunikimi, inxhinierë mekanikë, inxhinierë civilë dhe të elektroteknologjisë, si dhe zhvillues softuerësh. Po ashtu, kërkohen nëpunës zyre dhe finance, drejtues në tregti, si dhe profesione të tjera të rëndësishme për funksionimin e bizneseve dhe institucioneve.

Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e vendeve të punës i përkasin edhe atyre me arsim bazë, ku përfshihen punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmës-kuzhinierë, kuzhinierë dhe banakierë, kamarierë, shitës në dyqane, si dhe shoferë të mjeteve të rënda. Gjithashtu, ka kërkesë për profesione artizanale dhe prodhuese si rrobaqepës, sistemues malli dhe prodhues këpucësh.

AKPA thekson se këto mundësi janë të hapura për kandidatë me nivele të ndryshme arsimore dhe përvoje, duke filluar nga ata me arsim bazë deri tek profesionistët e kualifikuar dhe të specializuar.

Ndërkohë, procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe i aksesueshëm për të gjithë. Qytetarët mund të aplikojnë online në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë përmes portalit puna.gov.al, duke pasur mundësinë të zgjedhin pozicionet që i përshtaten më së miri profilit dhe interesave të tyre.

Për ata që kanë nevojë për asistencë gjatë aplikimit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ofron mbështetje të drejtpërdrejtë. Qytetarët mund të drejtohen pranë zyrës së punës më të afërt ose të kontaktojnë përmes emailit dhe WhatsApp-it për çdo pyetje apo ndihmë të nevojshme.

Kjo nismë synon të rrisë punësimin në vend dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillim profesional, duke lehtësuar aksesin e qytetarëve në tregun e punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat