Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 12:11

6.5 milionë euro shpërndahen për naftën në bujqësi - Mbi 42 mijë fermerë marrin financimin nga skema e subvencioneve

Nga Elisabeta Dosku

6.5 milionë euro shpërndahen për naftën në bujqësi

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka mbështetur deri më tani me financim  42,667 fermerë në të gjithë vendin, pasi janë shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.

Referuar të dhënave zyrtare nga ky institucion disbursimi i fondeve të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 vijon intensivisht, ku deri më tani janë shpërndarë rreth 1,84 miliard lekë apo 19 milionë euro, ndërsa pagesat për përfituesit e tjerë janë në proces.

Skema Kombëtare 2025 përfshin 8 masa në total: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); zhvillimin e bletarisë; mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera; kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; fermat organike; certifikimin Global GAP; ⁠mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Ndërsa sa i takon vetëm skemës së naftës, deri më tani kanë përfituar fondet në llogaritë e tyre bankare 32.627 fermerë në të gjithë Shqipërinë, për të cilët janë disbursuar 635.5 milionë lekë, apo rreth 6.5 milionë euro. 

69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor për të pasur akses nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtarë të Mbështetjes 2025. 

Më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, ndërsa interes të lartë ka pasur edhe për blegtorinë dhe bletarinë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural,  për masat 1-7 janë në total janë 7272 fermerë përfitues. 

Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025, synohet ulja e kostove të prodhimit për fermerët, rritja e rendimentit dhe fuqizimi i  prodhimit MadeinAlbania duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill  dhe janë mbyllur me 30 maj 2025.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe i është dhënë më shumë prioritet në financim shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.

Mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar financim nga Skema e Subvencioneve në bujqësi përgjatë vitit 2024.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat