Shqipëria Postuar më 3 Prill 2026, 10:54

62 ankesa për prokurimet publike në janar - Buletini i KPP: Shumica e tyre lidhen me vlerësimin e ofertave

Nga Diamila Leka

62 ankesa për prokurimet publike në janar - Buletini i KPP: Shumica e

Buletini i muajit të parë i Komisionit të Prokurimit Publik evidenton një numër të konsiderueshëm ankesash për procedurat e tenderimit, duke nxjerrë në pah problematika në proces. Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 62 ankesa për procedurat e prokurimit publik.

Pjesa dërrmuese e tyre, 54 ankesa, lidhen me fazën e vlerësimit të ofertave, ndërsa vetëm 8 ankesa janë paraqitur në fazën e dokumenteve standarde të tenderit. Sa i përket llojit të kontratave, më shumë ankesa janë regjistruar për furnizimin me mallra, me 34 raste. Pasojnë shërbimet me 18 ankesa dhe punët publike me 10 të tilla.

Në ndarjen sipas autoritetit kontraktor, numri më i lartë i ankesave është drejtuar ndaj institucioneve të pushtetit vendor, me 22 raste. Më pas renditen shoqëritë aksionare me 18 ankesa dhe institucionet e pushtetit qendror me 13 të tilla, ndërsa institucionet e pavarura kanë vetëm 2 ankesa. Sa i takon treguesve financiarë, gjatë muajit janë arkëtuar rreth 12.5 milionë lekë tarifa si garanci për procedurat e prokurimit. Nga këto, 2.6 milionë lekë janë kthyer tek operatorët ekonomikë pas shqyrtimit të ankesave, ndërsa 8.6 milionë lekë pritet të derdhen në buxhetin e shtetit.

Të dhënat e buletinit tregojnë se problematikat kryesore mbeten të përqendruara në fazën e vlerësimit të ofertave, duke nënvizuar nevojën për më shumë transparencë dhe standardizim në procedurat e prokurimit publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat