Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 13:06

500 investitorë, interes për 4 sektorë në Shqipëri - “Match-maker Albania 2026”/ Nga pasuritë e paluajtshme, tek energjia

Nga Elisabeta Dosku

500 investitorë, interes për 4 sektorë në Shqipëri -

Katër sektorë kryesorë u janë ofruar investitorëve si një mundësi e artë për të investuar në Shqipëri, duke filluar nga pasuritë e paluajtshme, bujqësia inteligjente, horizontet dixhtale dhe energjia e gjeneratës tjetër.

"Match-maker Albania 2026" është platforma që lidh investitorët me projektet kryesore të zhvillimit në Shqipëri dhe një hapësirë e rëndësishme për dialogun ekonomik dhe investimet në vend. Këtë vit, forumi ka mbi 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 40 vende, me mbi 500 kompani investuese dhe rrjete ndërkombëtare, duke konfirmuar interesin global në rritje për Shqipërinë si një destinacion investimi në zhvillim.

“Edicioni i parë hodhi një themel të fortë duke bërë bashkë aktorë që përfaqësojnë komunitete konkrete investimi. Në këtë edicion të dytë, ne do të bëjmë një hap më tej. fokusi ynë është te arritja e rezultateve, duke kaluar nga bisedat mbi mundësitë, drejt marrëveshjeve konkrete dhe transaksioneve të investimeve reale. Një inovacion kyç i këtij edicioni janë katër zonat kryesore:Pasuritë e Paluajtshme të së Ardhmes (Future Estates).Bujqësia Inteligjente (Smart Agriculture).Horizontet Dixhitale (Digital Horizons). Energjia e Gjeneratës tjetër (Poëer Next). Secila prej tyre përfaqëson një shtyllë strategjike të zhvillimit ekonomik, duke pasqyruar sektorët ku Shqipëria po tërheq interes ndërkombëtar në rritje. Kjo strukturë e bën aktivitetin më të orientuar drejt rezultateve, duke lidhur drejtpërdrejt investitorët me projektet dhe fushat prioritare”, u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se Shqipëria është një vend me mundësi konkrete investimi në sektorin e energjisë.

“Objektivi ynë është të krijojmë një sistem modern, fleksibël dhe inteligjent, që është efikas, miqësor me mjedisin dhe plotësisht i harmonizuar me standardet europiane. Në të njëjtën kohë, ne kuptojmë se investimet në energji janë rrugëtime afatgjata. Prandaj, ne vazhdojmë të forcojmë ekosistemin tonë duke krijuar një strukturë rregullatore edhe më të fortë, duke thjeshtuar procedurat, duke siguruar qartësi dhe duke përforcuar garancitë institucionale. Angazhimi ynë është të ofrojmë parashikueshmëri dhe besim për çdo investitor. Sot, Shqipëria nuk është vetëm një vend me potencial, është një vend me mundësi konkrete investimi dhe me një aftësi të provuar për të realizuar projekte në shkallë të gjerë. Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij udhëtimi. Ju lutemi, eksploroni Shqipërinë, ndërtoni partneritete që përkthehen në projekte reale dhe në prosperitet afatgjatë”.

Përmes kësaj platforme investitorët kanë mundësi të njihen në detaj me potencialet që ofron vendi ynë në këto sektorë dhe legjislacionin përkatës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat