Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2025, 13:41

50% rënie në dëmet e paguara për Karton Jeshil - AMF: Kompanitë e sigurimit shpenzuan në total 2.6 mld lekë për dëmshpërblimet

Nga Ledina Elezi

50% rënie në dëmet e paguara për Karton Jeshil - AMF:

Kompanitë e sigurimit kanë shpenzuar më pak para për mbulimin e dëmeve të automjeteve të përfshira në aksident, por jo vetëm, në janar-prill 2025. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë siguruese kanë paguar 2.6 miliardë lekë dëme në katërmujorin e parë të këtij viti, rreth 4% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fakt, shoqëritë kanë paguar një numër më të madh dëmesh, por dëmet kanë rezultuar të vogla dhe si rrjedhojë pagesat për to nuk kanë qenë shumë të kushtueshme.

Por cili prej produkteve të sigurimit ka ndikuar më tepër në këtë rënie?

Kompanitë e sigurimit kanë dëmshpërblyer më pak qytetarë në periudhën janar-prill për produktet që lidhen me sigurimin e jo-jetës. Konkretisht, shuma e dëmeve të paguara në aktivitetin e jo-jetës pësoi një rënie me 3.6%. Ndikim në total ka pasur edhe rënia e pagesave të dëmeve nga Fondi i Kompensimit.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me gati 2 miliardë lekë, apo 74.61% të totalit të plotë. Megjithatë, në katër muajt e parë të 2025 është shënuar një rënie me 2.5% në dëmet e paguara bruto për përgjegjësinë motorike ndaj palëve të treta. Kompanitë e sigurimit kanë paguar më pak para për Kartonin Jeshil. Shifrat zyrtare flasin për një rënie me 50% të pagesave për dëmet e shkaktuara në automjetet me targa shqiptare që udhëtojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

Për sa i përket numrit të dëmeve të paguara, rreth 96% i takojnë aktivitetit të jo-jetës dhe vetëm 4% janë regjistruar në aktivitetin e jetës.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-prill 2025, edhe numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17,4%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

50% rënie në dëmet e paguara për Karton Jeshil - AMF:

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat