Shqipëria Postuar më 25 Shkurt 2026, 12:29

5 hapat, si aplikohet për rivlerësimin e pronave - Tarifat shtetërore, nga 35-100 euro, në varësi të tatimit të arkëtuar

Nga Elisabeta Dosku

5 hapat, si aplikohet për rivlerësimin e pronave - Tarifat

Qytetarët që dëshirojnë të bëjnë rivlerësimin e pronës së tyre me normë tatimore 5 %, duhet të ndjekin 5 hapa kryesorë.

Aplikimi për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë,  bëhet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, me kërkesën standarde që është miratuar për këtë procedurë. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve ka publikuar hapat që ndiqen për këtë procedurë.

Fillimisht qytetari identifikohet në e-Albania.  Më pas zgjedh shërbimin: “Rivlerësimi i Pasurisë” dhe klikon “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”, nëse aplikimi bëhet nga vetë individi. Ndërsa nëse bëhet nga përfaqësues ligjor, kërkohet dokumentacion ekstra.

Në faqen pasardhëse, jepet opsioni për të zgjedhur pasurinë që qytetarët duan të rivlerësojnë dhe automatikisht shtohet edhe shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”.

Në vijim ngarkohet një dokument pronësie ose akti i ekspertimit dhe licensa e ekspertit në PDF, nëse rivlerësimin e keni kryer me ekspert të licensuar.

Në faqen pasardhëse reflektohet edhe tarifa minimale e shërbimit dhe në përfundim klikohet ikona “Dërgo”.

Kadastra sqaron se tarifa e shërbimit që i shfaqet qytetarëve gjatë aplikimit nuk është fikse, por përllogaritet në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi.

Pra, tarifat  për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, variojnë nga 3500 lekë nëse vlera e tatimit 5 % të rivlerësimit që derdhet në buxhet është 150 mijë lekë,  7000 lekë nëse vlera varion nga 150-300 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, për vlerën mbi 300 mijë lekë.

Pasi individi ose përfaqësuesi ligjor është pajisur me faturën për arkëtim,  ai paguan faturën dhe drejtoria vendore e ASHK-së kryen konfirmimin e shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit.

Pas verifikimit të shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit, aplikimi i individit konsiderohet i plotësuar dhe ASHK-së i lind detyrimi për të pasqyruar rivlerësimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme.  Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat