Shqipëria Postuar më 28 Janar 2026, 10:14

48 mijë fermerë, pagesa cash për naftën - Publikohet lista e plotë. Mbi 14 mijë përfitues për masat e tjera

Nga Elisabeta Dosku

48 mijë fermerë, pagesa cash për naftën - Publikohet lista e

48.117 fermerë përfitojnë pagesa cash në llogaritë e tyre bankare për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka publikuar listën e plotë të përfituesve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi ku vihet re dhe një shpërndarje e gjerë gjeografike e përfituesve. Ndërsa nga masat 1-7 të skemës rezultojnë 14.577 përfitues.

Sa i takon skemës së naftës, aplikantët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose të parashikuara për të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit,  plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.

Mbështetja më e lartë ka shkuar në qarqet Fier, Berat dhe Korçë, ku dhe bujqësia ka zhvillim më të lartë.

Vlera e saktë që përfitojnë aplikantët fitues, është e kategorizuar me vendim qeverie sipas kulturës së mbjellë, ndërsa maksimumi i mbështetjes arrin deri në 186 euro për hektarë.

Sa i takon kultivimit të bimëve të arave,  jepen 18,582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë,  sorgum.  12,714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjerë njëvjeçarë, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk. Dhe 8,802 lekë/ha për foragjerë shumëvjeçarë, bimë aromatike-mjekësore.

Në grupin e drufrutorëve, pagesa për naftën për kultivimin e mollëve është18,582/ ha, 15,648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe  vreshta si dhe 13,692 lekë/ha për  arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16,626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore.

Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve,  pagesat për naftën variojnë nga 14,670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi,  pjepër, luleshtrydhe dhe 16,626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra.  Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Ndërsa për skemat e tjera, numri më i lartë i përfituesve është në blegtori, ndjekur nga bletaria.

Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania dhe që janë shpallur fituese,  i janë nënshtruar procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime.

Vitin e kaluar nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në të gjithë vendin. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka njoftuar se pagesat për fermerët kanë kaluar në llogaritë e bankave tregtare dhe po vijon normalisht disburimi edhe për fermerët që nuk e kanë përfituar ende. Realizmi i fondit për skemën e naftës është në masën 93%, ndërsa për masat e tjera, në nivelin 90%.  Ndërkohë që skema e mbështetjes për këtë vit pritet të pësojë ndryshime duke targetuar më mirë mbështetjen me qëllim rritjen e prodhimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat