Shqipëria Postuar më 27 Qershor 2026, 11:29

46% më shumë individë zgjedhin formimin profesional - AKPA: Mbi 6.700 qytetarë përfituan gjatë pesë muajve

Nga Ernilda Luzi

46% më shumë individë zgjedhin formimin profesional - AKPA: Mbi

Interesi për formimin profesional në vend vijon të rritet. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, gjatë periudhës janar–maj 2026, gjithsej 6 mijë e 781 individë kanë ndjekur programe të formimit profesional, duke shënuar një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Statistikat tregojnë se gratë dhe vajzat vijojnë të jenë grupi më i madh që ndjekin këto programe. Gjatë pesë muajve të parë të vitit, 3.784 gra dhe vajza janë aftësuar profesionalisht, një shifër që përfaqëson një rritje prej 47% në raport me një vit më parë.

Ndërkohë sipas të dhënave nga AKPA, 3.480 të rinj deri në moshën 29-vjeçare kanë përfunduar programin e formimit profesional ose 25% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Nga ana tjetër, programet e formimit profesional kanë vijuar të mbështesin edhe grupet në nevojë. Të dhënat zyrtare tregojnë se 562 anëtarë të skemës së ndihmës ekonomike kanë përfituar trajnim profesional, duke shënuar një rritje prej 3.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Po kështu, në këto programe janë përfshirë 104 pjesëtarë të komuniteteve rom dhe egjiptian, me një rritje prej 13%, ndërsa 57 persona me aftësi të kufizuara kanë ndjekur kurse formimi profesional, një shifër 33% më e lartë se një vit më parë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, këto rezultate pasqyrojnë zgjerimin e aksesit në programet e aftësimit profesional dhe rritjen e interesit të qytetarëve për të fituar aftësi të reja, në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Objektivi mbetet forcimi i kapitalit njerëzor përmes formimit profesional, rritja e mundësive për punësim dhe garantimi i mundësive të barabarta për të gjitha kategoritë e qytetarëve, me synimin për një integrim të qëndrueshëm dhe afatgjatë në tregun e punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat