Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2025, 11:20

450 mln euro tërhiqen nga tregu në 2026 - Banka e Shqipërisë do të shtojë ndërhyrjet. Blerjet më të shumta, në sezonin veror

Nga Ledina Elezi

450 mln euro tërhiqen nga tregu në 2026 - Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë do të tërheqë deri në 450 milionë euro nga tregu gjatë vitit të ardhshëm. Sipas kalendarit të publikuar nga Banka Qendrore, 2026 do të karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e ndërhyrjeve në tregun e brendshëm për blerjen e eurove dhe si rrjedhojë rritjen e rezervës valutore.

Në krahasim me këtë vit, ku objektivat e Bankës së Shqipërisë ishin që të blinte përmes ankandeve 270-350 milionë euro, në 2026 ky objektiv është rritur me 100 milionë euro më shumë, duke synuar blerje nga 330 – 450 milionë euro. 

Banka e Shqipërisë do të realizojë blerjet më të mëdha gjatë muajve të verës, ku muaji korrik shënon numrin më të lartë të ankandeve, me 5 të tillë. Gjatë sezonit veror pritet edhe sasia më e madhe e eurove në vend, si rrjedhojë e fluksit të turistëve, ndaj edhe Banka Qendrore do të realizojë 12 ndërhyrje.

Banka do të realizojë 26 ndërhyrje në total në tregun e brendshëm valutor, duke nisur nga shkurti deri me datë 18 dhjetor.

Rreth 9 ankande do jenë me opsionin FORWARD, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje, si dhe 17 ankande të llojit SPOT, pra me blerje sipas kursit të këmbimit në datën që është mbajtur ankandi.

Paratë që sjellin emigrantët çdo vit, investimet e huaja direkte, të ardhurat nga turistët dhe paraja informale, kanë shkaktuar forcimin e lekut dhe zhvlerësimin e euros, e cila ka prekur nivelet më të ulëta historike. Në gjysmën e parë të vitit, Banka e Shqipërisë ka blerë nga bankat tregtare 122 milionë euro për të rritur rezervën valutore dhe stabilizuar kursin e këmbimit, por ndikimi ka qenë i kufizuar.

Një kurs i tillë këmbimi është në favor të borxhit të jashtëm të qeverisë, por edhe për mbajtjen nën kontroll të inflacionit nga Banka Qendrore, megjithatë sjell humbje të mëdha për bizneset eksportuese të cilët shesin jashtë vendit në euro, por kostot e tyre i shlyejnë në lekë brenda vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat