Shqipëria Postuar më 1 Maj 2025, 12:57

4.3 mld euro qarkullojnë në duart e shqiptarëve - BSH: Paraja jashtë bankave, me rritje prej 10.2% në mars

Nga Ledina Elezi

4.3 mld euro qarkullojnë në duart e shqiptarëve - BSH: Paraja

Në Shqipëri qarkullojnë rreth 4.3 miliardë euro jashtë bankave. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se paraja fizike që gjendet jashtë sistemit bankar ka vijuar të rritet me një ritëm të shpejtë edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.

Në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, ku paraja që qarkullonte jashtë bankave ishte gati 3.9 miliardë euro, tashmë kemi një rritje me 397 milionë euro ose 10.2% të parasë që qarkullon në duart e shqiptarëve. Ndërkohë, rikujtojmë se në fund të vitit 2024, paraja jashtë korporatave depozituese ishte 4.2 miliardë euro nga 3.9 miliardë në 2023, dëshmi e trendit të shpejtë rritës.

Këto shifra tregojnë një prani më të madhe të parasë fizike në ekonomi, e cila mund të vijë për një sërë arsyesh që përfshijnë kulturën e shqiptarëve për të kryer pagesa me para në dorë, normat e ulëta të interesit për depozitat që i shtyn individët të mos i mbajnë kursimet në bankë, niveli i lartë i ekonomisë informale, paraja nga burime të paligjshme dhe të tjera.

Në drejtim të uljes së përdorimit të parasë “cash” në ekonomi, në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave parashikohej që gjatë 2025 të vendosej një limit për pagesat cash mes individëve, të reduktoheshin më shumë pagesat me para në dorë mes bizneseve nga 150.000 lekë që është aktualisht, apo të krijoheshin rregulla të riskut, të cilat evidentonin tatimpaguesit që fragmentizonin faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji.

Ndërkohë, pritet që të ulen edhe komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve.

Gjithashtu, për të nxitur edhe më tepër kryerjen e pagesave elektronike, kompania amerikane Mastercard pati njoftuar më herët se duke filluar nga 1 maji 2025 do të shpërndante 4750 terminale POS falas për tregtarët shqiptare. Ky program do t'i vinte në ndihmë shumë bizneseve të cilët nuk kanë instaluar akoma një terminal POS, për shkak të kostos së lartë me të cilin shoqërohej ky i fundit, por në të njëjtën kohë do të ofrojë një mundësi më shumë për qytetarët që të kryejnë pagesa me kartë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat