Shqipëria Postuar më 20 Qershor 2025, 12:45

4 tenderë për blerje energjie në 2 javë- KESH shpenzon 14 mln euro për qershorin, fatura për 2025-ën arrin në 52 mln euro

Nga Ola Mitre

4 tenderë për blerje energjie në 2 javë- KESH shpenzon 14

Rritja e kërkesës për energji për shkak të temperaturave të larta dhe mungesa e reshjeve të shiut kanë detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të kryejë një seri blerjesh energjie. Katër tenderë janë zhvilluar brenda harkut kohor të 15 ditëve, me qëllim përmbushjen e nevojave konsumatore, teksa në total janë shpenzuar rreth 14 mln euro. Energjia e siguruar me një çmim mesatar prej rreth 95 euro/ mWh do të shërbejë për plotësimin e nevojave deri në datën 22 qershor.    

Këto blerje vijnë pas rreth 3 muajsh që KESH nuk kryente importe energjie, pasi procedura e fundit u zhvillua në mesin e muajit mars. Fatura nga tenderët e zhvilluar në 3 muajt e parë të vitit përllogaritet në rreth 38 mln euro, çka do të thotë se së bashku me blerjet e fundit, fatura për vitin 2025 arrin në rreth 52 mln euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në total janë blerë rreth 408 mijë mWh energji, me një çmim mesatar prej 124 euro/mWh.

Kjo situatë është e ndryshme nga ajo e vitit të kaluar, duke qenë se deri në muajin qershor nuk u zhvillua asnjë procedurë për blerjen e energjisë, pasi nevojat plotësoheshin nga prodhimi i hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit. Sipas përllogaritjeve rezulton se përgjatë gjithë vitit 2024 fatura për blerjen e energjisë arriti në rreth 70 mln euro.

Këto të dhëna nxjerrin në pah edhe njëherë varësinë që ka vendi ynë nga kushtet e motit në drejtim të gjenerimit të energjisë elektrike. Kjo, duke marrë në konsideratë se rreth 94% e saj prodhohet nga burimet ujore, ndërsa vetëm 6% vjen nga impiantet fotovoltaike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat